As këtë pasdite të të martës, universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” nuk ka njohur emrin zyrtar të rektorit të rij, i cili do të udhëheqë jetën aademike të këtij IAL- je. KIZ- Komisioni Institucional i Zgjedhjeve, ka nisur mbledhjen e paralajmëruar por e ka shtyrë atë për ditën e mërkurë.
Në këtë mbledhje, rektori i zgjedhur por akoma i pazyrtarizuar me vendim të KIZ- it, Tonin Gjuraj, ka kërkuar që punimet të zhvillohen në praninë e mediave, në kuadër të transparencës me publikun. Kjo kërkesë është hedhur poshtë me arsyetimin se nuk ka patur kërkesë për akreditim nga mediat për të ndjekur procesin e zgjedhjeve.
Ndërkohë, KIZ- i ka bërë me dije se ka administruar dy kërkesa nga kandidatja humbëse Rajmonda Këçira, kërkesa të natyrës së përgjithshme, të pabazuara në prova apo dokumente e me dyshimin e paraqitjes së tyre jashtë afateve ligjore.
Këto zgjedhje janë të paprecedent, duke patur parasysh se të gjitha universitetet publike në vend, kanë zyrtarizuar tashmë rektorët e drejtuesit e rinj. Vetëm Shkodra akoma nuk ka një rektor, edhe pse sipas tabelës së rezultateve të miratuar nga KIZ-i, ai është Tonin Gjuraj. Vetëm se KIZ-i po ngurron të shprehet me vendim për këtë fakt të provuar tashmë nga procesverbalet e votimit në fakultete, të pedagogëve dhe studentëve.