Kreu i Partisë Demokratike e konsideron antikushtetuese miratimin e Kodit Zgjedhor nga ana e mazhorancës socialiste në pushtet. Sipas tij, këto lëvizje tregojnë tmerrin e kryeministrit nga zgjedhjet.
“Shkatërrimi i institucioneve të Shqipërisë është një nga arsyet që kjo bandë e ka vjedhur dhe e ka kërdisur Shqipërinë. Hapat që duan të hedhin sot në Kuvend janë tërësisht antikushtetues dhe tregojnë tmerrin dhe frikën e Edi Ramës dhe atyre që e rrethojnë nga procesi zgjedhor. Nuk ka formulë që ta shpëtojë Edi Rama nga ndëshkimi popullor. Sikur vetëm për premtimet e pa mbajtura dhe efektin që kanë pasur, Edi Rama do të largohet me votë plebishitare.
Çdo hap antikushtetues do të kontestohet në të gjitha format. Kjo s’ka asnjë diskutim. Në kundërshtim me 5 qershorit dhe standardet e OSBE- ODIHR, do të kontenstohet. Nuk ka formulë që ta shpëtojë këtë bandë nga ndëshkimi i njerëzve. Njerëzit shumë shpejt do ta japin verdiktin e tyre sepse e bëjnë fare qartë kontrastin midis opozitës dhe një bande që e trajton Shqipërinë si çifligun e saj.”, ka thënë Basha për gazetarët.
Ndërkohë, më herët, edhe Presidenti Ilir Meta paralajmëroi deputetët se kushdo që ngre dorën kundër të ardhmes europiane do të mbajë përgjegjësi individuale dhe jo kolektive.
“Shpresoj që sot deputetët të marrin një vendim të drejtë, të respektojnë marrëveshjen historike të 5 qershorit, i vemti përjashtim që kemi vendosur është hapja e listave 100%. Çdo prekje e njëanshme e marrëveshjes historike të 5 qershorit do të jetë një faturë shumë e madhe historike për të gjithë ata që do të ngrenë dorën pasi jemi paralajmëruar në mënyrë të vazhdueshme nga BE dhe presidenca gjermane. Përgjegjësia e çdo deputeti do të jetë individuale dhe jo kolektive nëse ngre dorën kundër të ardhmes së Shqipërisë. Shqipëria me hir apo me pahir do të hyjë në BE, se ky është vullneti i qytetarëve shqiptarë.”, ka thënë Meta.
Presidenti ashpërsoi dhe më tej tonet, duke deklaruar se kush ngre dorën kundër integrimit europian të Shqipërisë, vendos pusht-pushtetin e partisë mbi interesin kombëtar të gjithë shqiptarëve dhe shtoi se do të publikojë emrat e të gjithë deputetëve nëse e bëjnë një gjë të tillë.
“E ashtuquajtura mazhorancë të thellohet, por kështu të ashtuquajturit opozitarë në parlament nëse duan të quhen opozitarë nuk duhet tu shkojë mendja të përpiqen sot ti mbyllin derën e BE Shqipërisë. Sot, ai që ngre dorën për të prekur 5 qershorin, përveç listave të hapura 100% që çdo shqiptar i duartroket, po të kenë kurajon ta bëjnë, ai ngre dorën kundër integrimit europian të Shqipërisë, ai vendos pusht-pushtetin e partisë mbi një interes kombëtar të gjithë shqiptarëve. Unë dëshiroj të mos e bëjnë. Kushdo që ngre dorën duhet të dijë që përgjegjësinë do ta ketë dhe individuale, morale dhe politike për çdo pasojë që do të ketë në vend nga kjo përmbysje e pabesë, tinëzare dhe antishqiptare e rregullave të lojës të bashkëjetesës demokratike dhe europiane në vendin tonë.
Presidenti do të publikojë të gjithë emrat e atyre që guxojnë të bëjnë një gjë të tillë përpara të gjithë shqiptarëve, se kush janë ata që duan të kthejnë Shqipërinë 30 vjet pas për të mbyllur një derë që nuk ka Zot në botë ta mbyllë. Nëse respektohet 5 qershori do ti duatrokas, në rast tjetër presidenti dhe 3 milion shqiptarë do të tregojnë se Europa është në zemrat e tyre dhe Europa nuk është vetëm euro. Të gjithë e kanë në dorë të tregojnë se ku do të jenë, me pusht-pushtetin e partisë apo me demokracinë, të ardhmen europiane që të rinjtë të mos na ikin në këtë mënyrë si po na ikin sot.”, ka shtuar kreu i shtetit.