Dega e PD- së Vau Dejës, vijon të mos pranojë kandidaturën për kryetar bashkie të shpallur zyrtarisht nga Enkelejd Alibeaj në fundin e muajit janar. Si ato ditë, edhe sot ka kundërshti publike, të shprehura edhe në rrjete sociale.
Ditën e sotme, në emër të PD Vau Dejës, ka reaguar me një publikim në Facebook kryetari Gentian Ndoj, i cili shprehet mjaft qartë lidhur me pozicionimin e degës që kryeson:
“Nisur nga takimi që patëm me Kolegjin e Kryetareve të degëve me datën 06.03.2023 ku diskutua për situatën politike, gjithashtu dhe për Hapjen e Partisë Demokratike.
Theksoj se në Degen e PD Vau Dejës nuk ka as dhe një Kandidat Zyrtar nga Partia Demokratike e Shqipërisë për Kryetar Bashkie.
Dega e Parisë Demokratike Vau Dejës në takimet që do të organizoj me strukturat është e hapur të mirëpresë propozimet për Kandidat për Kryetar Bashkie dhe Anëtar të Këshillit Bashkiak. Ne do të jemi gjithmonë të hapur dhe as dhe një herë nuk do të pranojmë kandidatura të vetëshpallura të cilët po çorientojnë strukturat e PD.
Nuk do të ketë Kandidatura për Kryetar Bashkie dhe Anëtar të Këshillit Bashkiak pa vendimin e Kryesisë së PD Vau Dejës. Së bashku do ia dalim.
Kryetari:
Gentian Ndoj”, shkruhet të reagim. Siç dihet Klomentina Drini është shpallur zyrtarisht nga Enkelejd Alibeaj, ndërsa deri në këto momente duket se ky emër nuk gëzon mbështetjen e strukturës së PD- së. Ndërkohë, fitues i primareve të Rithemelimit është deputeti aktual Zef Hila, i cili pritet të dorëzojë mandatin për të qenë zyrtarisht kandidat për 14 majin.