Vlerësimet pozitive për Vllazninë e sivjetme po vijnë nga të gjitha drejtimet. Kjo skuadër ka bërë për vete sivjet edhe një nga kritikët më të mëdhenj të saj, ish- futbollistin dhe ish-trajnerin Rudi Vata.
Ai e ka quajtur një Vllazni “bio” këtë aktualen e cila kërkon të fitojë me lojë të ndershme në fushë dhe jo përmes rrugëve dytësore. Vata përmes një lidhje direkte në emisionin “Procesi Sportiv” ka nxjerr në pah disa veçoritë kryesore të kuqebluve këtë sezon teksa është shprehur:
“Vllaznia e sivjetme është totalisht ndryshe nga ajo e të paktën 7-8 viteve të fundit. Një skuadër totalisht e organizuar ndryshe, ka një kulturë tjetër loje. Jam i mendimit se stafi drejtues është tepër i angazhuar duke ditë edhe vështirësitë që Shkodra ka me infrastrukturë.
Ajo që më pëlqen tek kjo Vllazni, është se kemi të bëjmë me një Vllazni bio, e cila lufton, punon dhe fiton pa patur nevojën as të arbitrit, as të presidentit dhe as të ndërhyrjeve. Kjo është një Vllazni e cila çdo gjë që ka arritë, e ka arrit përmes punës, sakrificës, përmes organizimit totalisht si klub.
Presidenti apo sponsori Xhaferi, nuk e di si e quani ju, ka qenë zgjedhja më perfekte që ka bërë Vllaznia këtë dekadën e fundit. Ka një konsulent, këshilltar si Blendi Dibra dhe të dy sëbashku punojnë pa bërë fjalë e pa bërë zhurmë.
Kjo Vllazni nuk ka brenda “mish me erë”, e kam fjalën këtu për ato futbollistët me vese të këqija siç janë bixhozi dhe bastet. Tek Vllaznia kanë ardhur futbollistë të cilët nëse do të kenë trokitur tek skuadrat e tjera, jam i bindur se nuk do t’i kenë pranuar.
Kanë një trajner që ka një durim të jashtëzakonshëm për të punuar në ato kushte jo të përshtatshme të infrastrukturës, por ka në duar një grup lojtarësh që punojnë me shumë pasion, ka një staf organizativ që e mbështesin vazhdimisht.
Kjo është e bukura e kësaj Vllaznie e cila çdo fitore, çdo barazim që ka marrë, e ka marrë prej punës që ka bërë. Nuk është një Vllaznia që kërkon të fitojë një ndeshje në mënyrë të pandershme dhe prandaj e thashë që është “bio” në të gjitha drejtimet”.