Ardit Krymi pritet të rikthehet në Kategorinë Superiore dhe duket se Vllaznia do të jetë sërish destinacioni i shkodranit. Për mesfushorin që luan prej një viti në Bjellorusi me Shaktjor Soligorks është interesuar së fundmi edhe Tirana, por situata është pak e komplikuar për të shkuar deri te konkretizimi.
“Panorama Sport” kontaktoi dje me 27-vjeçarin, i cili sqaroi se kontrata me bjellorusët i skadon në fund të muajit dhjetor, edhe pse janë të gjitha mundësitë që ajo të prishet para kohe, pikërisht brenda këtij muaji. Dënimi që ka marrë Shaktjor Soligorks nga UEFA për mospjesëmarrje në Europë shtyn edhe më tepër largimin e Krymit, që aktualisht po shikon të gjitha opsionet, edhe pse ekskluzivisht për gazetën pranon se dëshiron të kthehet në Shkodër. Edhe vetë drejtuesit e Vllaznisë po mundohen të bindin lojtarin, i cili ka qenë një idhull për tifozërinë, duke ia kushtuar tetë vite të karrierës skuadrës së vendlindjes.
“Ditët e fundit kam pasur kontakte me drejtues të Vllaznisë. Më kanë mbetur edhe pak muaj kontratë me ekipin në Bjellorusi, por situata që është këtu më bën të shikoj mundësinë të rikthehem në Shqipëri. Menaxheri im është ai që po merret me këtë çështje. Ai do të vendosë së bashku me klubin e Soligorskit për të ardhmen time. Nuk e fsheh dëshirën që nëse kthehem në Shqipëri, Vllaznia është opsioni i parë, por kjo nuk varet totalisht nga unë. Gjithsesi, në këtë moment, një rikthim në Shkodër mund të jetë më i lehtë sesa për të kaluar te Tirana. Pas pak ditësh do të kthehem në Shkodër për të pushuar, e më pas do të vendos për vazhdimësinë. E theksoj se e ardhmja mbetet në duart e klubit, menaxherit dhe asaj që do të afrojë Vllaznia. Në Shqipëri nuk do të doja të luaja me asnjë skuadër tjetër, veç Vllaznisë”, deklaroi mesfushori shkodran.
AFRIMET QË PRITEN – Pavarësisht se po mungojnë zyrtarizimet, te Vllaznia janë vënë në lëvizje për të plotësuar sa më shpejt grupin, duke qenë se javën e ardhshme do të nisin përgatitjet për Ligën e Konferencës. Sa u përket hyrjeve të reja, deri më tani klubi ka arritur marrëveshje me sulmuesit Ildi Gruda dhe Darko Dodev. I pari vjen pas tri vitesh e gjysmë te Teuta, ndërsa i dyti nga kampionati maqedonas. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mesfushorin me tipare mbrojtëse, Elsit Sala, i cili ka luajtur me Valetën në Maltë në katër sezonet e fundit.
Por, së fundmi një tjetër emër ka dalë në skenë dhe bëhet fjalë për qendërmbrojtësin që mbylli sezonin me Kukësin, 22-vjeçarin Altin Bytyçi. Stafi kuqeblu pëlqen karakteristikat e shtatlartit, i cili dallon për luftën e fortë sportive dhe shpirtin e garës. Pozicioni i tij natyral është në qendër të mbrojtjes, por mund të luajë edhe në krahun e djathtë. Mësohet se kontrata e Bytyçit me Kukësin ka skaduar dhe Vllaznia e ka më të lehtë për të bindur mbrojtësin kosovar. Nga skuadra verilindore, kuqeblutë janë të interesuar edhe për kapitenin Gjelbrim Taipi, por bisedimet janë ende në fazën fillestare. /Nga Admir URUÇI/