Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është pyetur nga gazetarët në lidhje me një largim të mundshëm të deputetit Agron Çela drejt socialistëve.
Meta deklaroi se nuk merret me merkatot e Rilindjes dhe as me Spiropalin dhe shoqëruesit e saj. Ai tha se fokusi i opozitës është çmontimi i regjimit që drejtohet nga Edi Rama.
“Nuk kam asnjë koment për lajmet e shpikura dhe të porositura nga Rilindja. Nuk jam shqetësuar dhe nuk shqetësohem kurrë për merkatot e rilindjes. PL do të jetë fakto vendimtar për të realizuar këtë ndryshim që presin qytetarët shqiptarë nga Tropoja deri në Sarandë dhe do jetë faktor vendimtar për kandidatët e opozitës dhe super kandidatët në Tiranë, Durrës dhe Elbasan dhe kudo tjetër.
Përballja e PL me këtë regjim mafioz që i ka nxjerrë në tregun e zi vendas dhe ndërkombëtar çdo interes publik dhe kombëtar të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe sa i takon çështjes së Kosovës është e pashmangshme. Kushdo që ka forcë dhe qëndresë dhe është në krah të Ilir Metës dhe PL, kjo është një punë dhe sfidë për njerëz të fortë me ideale që besojnë te karakteri dhe patriotizmi dhe të gjithë shqiptarëve.
Nuk jam këtu për t’u marrë me çështje që i mbulon zonja Spiropali. Nuk merrem unë me të deleguarën e Rilindjes atje dhe shoqëruesit e saj. Unë merrem me Edi Ramën dhe regjimin që do çmontohet dhe është duke u çmontuar. Kjo besoj se është e qartë. PL do të jetë faktor vendimtar në të gjithë Shqipërinë. Përfshirë gjithçka ku luftohet për kapjen e shtetit dhe për të rivendosur llogaridhënien në çdo nivel”, tha Ilir Meta.