Të shtunën Vllaznia mori një rezultat zhgënjyes në Rrogozhinë, duke u mundur lehtësisht nga Egnatia vendase me rezultatin 3- 0. Reagimet e tifozëve, të paktën në rrjetet sociale ku ata kanë mundësi të shprehen lirshëm, janë nga më të ashprat.
Zhgënjimi është i madh për ekipin e zemrës, sidomos pas dy fitoreve me ekipe të mëdha si Tirana e Kukësi dhe humbje përballë një ekipi pa emër si Egnatia, pavarësisht se fusha e lojës e tregoi këtë skuadër shumë më lart se Vllaznia.
Por nuk është kjo tema e vetme që po diskutohet prej shumë orësh në grupet e tifozëve në rrjetet sociale. Ka një çeshtje “Çoba” të hapur mes futbollistit e tifozëve por edhe këtyre të fundit dhe klubit kuqeblu.
Në rrjet ka me qindra, ndoshta mijëra postime e komente ku futbollisti i Vllaznisë Mehdi Çoba akuzohet se ka sharë e fyer tifozët e Vllaznisë në shkallët e stadiumit në përfundim të ndeshjes me Egnatian në Rrogozhinë.
Mendimet apo komentet e tifozëve janë mjaft të ashpra, duke kërkuar ndërhyrjen e klubit shkodran me masa ndaj futbollistit kuqeblu. Madje, ka nga ata që paralajmërojnë se nuk do të ndjekin më Vllazninë edhe për këtë shkak.
Ndërkohë, nga klubi kuqeblu nuk ka asnjë reagim. Nuk ka as përgenjeshtrim e as pohim lidhur me sjelljen e Çobës, të paktën sipas asaj që pretendojnë tifozët në rrjetet sociale.
Edhe nga vetë futbollisti që po lakohet nga tifozët, nuk ka asnjë reagim. As Çoba, të paktën deri tani, nuk ka reaguar në rrjetet sociale. Të vetmit që vazhdojnë të shprehen janë tifozët, me stë cilëve ka edhe nga ata që “marrin në mbrojtje” futbollistin.
Tifozët e Vllaznisë janë konsideruar gjithmonë “lojtari i 12- të” për kuqeblutë, brenda dhe jashtë “Loro Boriçit”. Mbështetja e tyre në shumë ndeshje ka rezultuar vendimtare për arritjen e rezultateve.
Në këto kushte, klubi kuqeblu ka detyrim të reagojë, të sqarojë tifozët nëse ka patur apo ka një çeshtje “Çoba” apo ishte thjesht një keqkuptim. Tifozët e Vllaznisë kanë qenë e janë mirëkuptues, mund të pranojnë edhe një ndjesë publike nga Çoba apo edhe klubi kuqeblu, nëse ka patur ndonjë tejkalim në komunikim, i nxitur mbase edhe nga stresi apo mërzitja pas humbjes me Egnatian.
Tifozët kuqeblu janë kyçi i çdo arritje të Vllaznisë. Këtë e kanë pranuar nga trajneri Josa e deri tek presidenti Xhaferi. Madje tekniku kuqeblu ka thënë se me lojën e vet, ekipi mund të terheqë tifozët.
Kur problemet krijohen jashtë fushës së blertë dhe me tifozët, reagimi dhe zgjidhja duhet të jetë e shpejtë për të eliminuar pasoja të mundshme të mëvonshme. /ShkodraWeb/