Shkruan në Facebook Emilia Koliqi, deputete e PD Qarku Shkodër: Edhe një hua tjetër prej 40 milionë euro, po merr qeveria shqiptare për llogari të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, që do të rëndojë xhepat e shqiptarëve, krahas rritjes së çmimit të energjisë elektrike, sipas deklaratave të fundit të KM.
Emërtimi i projektit “Rehabilitimi i hidrocentralit të Fierzës”, i pashoqëruar me një preventiv të punimeve dhe ku do të ndërhyhet konkretisht. Vetëm shprehja – “gjendja teknike e agregateve të këtij hidrocentrali është e tillë, që kërkon nevojë urgjente për rehabilitim”.
Në vitin 2008, është realizuar një program rehabilitimi i agregateve, që ishin teknologji e periudhës së ndërtimit të veprës. A janë të njëjtat punime?
Megjithëse përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, na siguruan se nuk ishin përsëritje të punimeve të kryera në vitin 2008, asnjëri nuk kishte siguri në atë që thoshte.
Gjendja financiare e K.E.SH-it nuk dihet, pasi që nga viti 2018, nuk janë bërë publike pasqyrat financiare. Sa është në gjendje të përballojë një kredi të re, kur në fund të vitit 2018:
– detyrimet e KESH ndaj Ministrisë së Financave për huatë afatgjata ishin 62.7 miliard lekë;
– detyrimet e OST ndaj KESH, ishin 3.3 miliard lekë;
– detyrimet e OSHEE ndaj KESH, ishin 4 miliard lekë.