Mirel Josa ka pranuar se ishte i kënaqur me fitoren e sotme të Vllaznisë e cila e sheh veten në distancë të afërt me kreun pas suksesit 4-1 ndaj Laçit.
“Unë nuk mund të them se është pjesë e vazhdimësisë fitorja. Normalisht çdo ndeshje duhet vlerësuar njëlloj, për kupë apo kampionat. Ne jemi tani në një rrugë të mbarë por nuk duhet të shohim këtë, por mënyrën e lojës tonë dhe çfarë na bëri sot të jemi produktiv. Skuadra e qarkulloi mirë topin, vuri në presion ekipin kundërshtar pavarësisht mënyrës se si luajtën ata me 5 apo 4 mbrojtës. Edhe goli i pësuar nuk më entuziazmon se ishte 2-1 dhe loja mund të kthehej, por jam i kënaqur dhe të mos bëhemi hipokritë, me mënyrën se si luajti skuadra, u shpreh dhe doli në sulm. Si dhe për gjëra të tjera që i kemi pasur në ndeshjet që kaluan, tre ndeshjet e fundit, të cilat i përmirësuam sot.
Problemi është që ne duhet të luajmë më shumë me kolektivitet dhe këtë e kam parë që në seancat stërvitore, që te bisedat mes lojtarëve. Gjërat e tjera duhen përmirësuar, probleme taktike, apo mënyra se si skuadra shprehet në sulm apo mbrojtje, këto janë gjëra që ecin paralelisht me rezultatin. Dhe mua më kënaq rezultati, fitorja, sepse skuadra ka ndeshje shumë të ngjeshura e kemi 4 ditë për të përgatitur ndeshje të vështirë që kemi në Ballsh.
Nuk mund të thuash se morën fund problemet me dy ndeshje, të gjithë luajnë futboll. Unë dua që nga lojtarë e mi të respektohet çdo kundërshtar, individ apo lojë. Nëse respektojmë çdo kundërshtar, do të vlerësojmë punën tonë ditë pas dite.
Nuk i vë nota futbollistëve por skuadrës dhe sot skuadra ishte më e përmirësuar se javën që shkoi”, tha Josa për ”Oversport” në mbyllje të duelit.