Me 21 nëntor 2016, u nda nga jeta pas një aksidenti të rëndë, Ergi Dini, një i ri shumë premtues për muzikën shqiptare. Fitues i disa çmimeve dhe konkurseve të rëndësishme për të rinj, vdekja e Ergit la një zbrazëti të madhe tek të gjithë ata që e njohën qoftë edhe përmes artit të tij, por veçanërisht për familjen.
Ikja nga jeta në moshë shumë të re, ishte një goditje e fortë për nënën, babain dhe dy motrat, të cilat e kishin vëlla të vetëm. Sot, në këtë përvjetor të 7- të të ikjes së dhimbshme, janë të shumtë ata që e kujtojnë Ergin. Sigurisht, e para është familja e tij. Babai, Dashamir Dini, gazetar dhe krijues i njohur, e kujton përmes disa vargjeve, të cilat më shumë se nga mendja apo dora që i shkruan, i burojnë nga shpirti.
ERGI!
Në 7- vjetorin e largimit.
Asgjë s’na ndan.
Botët,
ku fati na degdis,
mund të jenë aq shumë…
Por ne,
jemi një.
Ti vjen dhe ikën
e përsëri vjen,
herë si lot
e herë si buzëqeshje.
Ti vjen
dhe përsëri vjen,
herë,si diell,
e herë,si hënë.
E,unë,pres,
si gjithmonë,pres,
të më mbulosh
me një copë qiell.
Unë pres
si gjithonë pres,
të më ndezësh
Yllin e Mbrëmjes,
Yllin e Mëngjesit.
Se nuk mund të flej
e të zgjohem,
po nuk erdhe Ti,
Shpirt!