Këshilli Bashkiak i Shkodrës nuk ka mundur të përfundojë normalisht mbledhjen e tij të radhës. Nga pikat e rendit të ditës, është miratuar vetëm shpërndarja e Ndihmës Ekonomike për familjet në nevojë, pjesa që është në kompetencë të Këshillit Bashkiak.
Mbledhja nuk ka vijuar për mungesë kuorumi të nevojshëm për vendimmarrje, nën 25 këshilltarë, aq sa e përcakton ligji. Shkak është bërë largimi i beftë nga salla i këshilltarëve të PSD- së, pa dhënë asnjë sqarim të besueshëm për veprimin e tyre.
Kryetari i grupit të PSD- së Gjergj Sokoli, ka shprehur pakënaqësi që nuk i është miratuar këtij subjekti politik asnjë kerkesë për punësim apo ndonjë kerkesë tjetër drejtuar bashkisë, duke e konsideruar veten si pjesë të fitores së arritur me 14 maj të një viti më parë.
Të njëjtin veprim kanë bërë edhe këshilltarët e PD- së dhe “BF”- së duke pamundësuar vijimin normal të mbledhjes, në këtë rast, ndryshe nga PSD- ja, duke e lidhur me largimet nga puna pas ristrukturimit të administratës me sipas VKB- së së Këshillit Bashkiak. Në këto kushte, kryetari i Këshillit Bashkiak Oltion Luli ka mbyllur mbledhjen, e cila sipas gjasave do të vijojë një ditë tjetër.
Ndërkohë, siç shihet edhe nga pamjet video në faqen zyrtare në Facebook të Këshillit Bashkiak Shkodër, këshilltarët e PSD- së u rikthyen në sallë por atëherë mungonin këshilltarët e PS- së, të larguar pas mbylljes së mbledhjes nga kryetari Luli për mungesë kuorumi në sallë.
Në këtë mbledhje, ekzekutivi i bashkisë së Shkodrës përfaqësohej nga njëri prej zëvendëskryetarëve.