Thomas Brdariç nuk është më trajneri i Vllaznisë. Një gjë të tillë e ka konfirmuar për RTSH Sport vetë trajneri, ndërsa burime pranë klubit shkodran, kanë sqaruar se, ndërkohë drejtimin e skuadrës do ta marrë ndihmësi i gjermano-kroatit, Elvis Plori, bashkë me pjesën e mbetur te stafit teknik. Duke folur posaçërisht për RTSH Sport nëpërmjet linjës telefonike, Brdariç ka theksuar se nuk ndihet i zhgënjyer.
“Jo, pse duhet të jem i zhgënjyer. Ne jemi Vllaznia, ne jemi në Shkodër, ne punojmë në maksimum. Por, nëse ke pritshmëri shumë më të larta, duhet të ruash qetësinë dhe nëse ti zgjedh t’i bësh lëmsh pritshmëritë, kjo nuk është mendësia ime.
Kjo do të thotë të ëndërrosh, por unë mendoj se ne duhet të jemi të qartë në mendjen tonë dhe unë mendoj se skuadra dhe grupi teknik janë të qartë. Por unë mendoj që nuk është përgjegjësia ime të gjykoj të tjerët”.
Vllaznia nuk e njeh fitoren prej një muaji, që nga ai triumf minimal në shtëpi me Apoloninë më 13 shkurt 2021 dhe gjatë këtyre 5 ndeshjeve të fundit, skuadra shkodrane ka marrë vetëm 2 pikë nga 15 të mundshme, ndërsa ka parë edhe epërsinë prej 9 pikësh në krye të renditjes dhe tanimë është vetëm një pikë larg dy ndjekëseve më të afërta, Laçit dhe Teutës, që kanë një ndeshje më pak, atë që do të luajnë të shtunën, dhe vetëm 3 pikë larg Partizanit të vendit të 4-t.
Ish-futbollisti i njohur i Bundesligës gjermane, por edhe i përfaqësueses së Gjermanisë, nisi punën në fillim të gushtit te Vllaznisë, duke e shndërruar skuadrën që vinte nga një sezon i vështirë ku u vu në diskutim edhe mbijetesa, në një ekip që e mbizotëroi Kategorinë Superiore për mëse 18 javë.
Por paraqitjet në vazhdën negative prej vetëm dy barazimesh dhe 3 humbjesh, ku skuadra e tij ka shënuar vetëm dy gola dhe ka pësuar 6, ka çuar në largimin e trajnerit gjerman, Tomas Brdariç.