Duket si një nga ato fazat e zakonshme të luftës ordinere politike, ku partitë janë gati që për një “plesht” të djegin gjithë “jorganin”. Por në fakt nuk është ashtu. Prej disa ditësh çështja më e rëndësishme është paralajmërimi për futjen e drejtësisë në kolaps. Vettingu është duke larguar (të paktën deri tani) gjysmën e gjykatësve dhe prokurorëve që ka marrë në shqyrtim. Gjykata Kushtetuese nuk ekziston më. Gjykata e Lartë po shkon drejt shkrirjes. Njerëzit më të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë rezultojnë të lidhur me krimin apo të korruptuar. Gjykatat e niveleve më të ulëta rrezikojnë të mbeten pa gjykatës. Prokuroritë gjithashtu.
Në këto kushte, mazhoranca çdo ditë bën thirrje për të miratuar disa ndryshime në ligj për të rikthyer emërimet e gjykatësve e prokurorëve në tek KLD, dersa të krijohen KLP e KLGJ. Opozita nuk bashkëpunon, e bindur se sistemi po shkon drejt bllokimit dhe kjo do të jetë një armë e mirë për të goditur reformën që e kritikoi aq fort.
Shumëkush ka marrë penën e po shkruan se vendi anëtar i NATO-s, vendi që pret hapjen e negociatave, s’ka Gjykatë Kushtetuese e Gjykatë të Lartë. Ata që kundërshtojnë reformën po fërkojnë duart, duke thënë: ja kjo është çorba që u gatua me bekimin e Donald Lu-së.
Por a po shkon shteti drejt rënies, a po shkon drejtësia drejt zhbërjes totale? Në dukje po. Një shtet pa gjykatë kushtetuese funksionale e gjykatë të lartë, nuk është më një shtet.
Por, përkundër kësaj, ajo që po ndodh është vërtet historike. Mekanizimi më i korruptuar i shtetit është duke u pastruar. Po po, duke u pastruar. Gjykatës të korruptuar e të inkriminuar mbronin njëri-tjetrin deri dje e nuk kishte “burrë nëne” t’i çante në KLD.
Sot, të tillë njerëz, që dërdëllisin para kamerave se milionat i kanë bërë me skedina bastesh, apo ia ka hedhur krushqia në dasmë, po jashtëqiten nga sistemi me një vendim. Dhe ky është një zhvillim vërtet historik. Para kësaj që po ndodh, çdo gjë tjetër duket e pavlerë, madje edhe vetë mosfunksioni i gjykatës kushtetuese. Një gjykatë e lartë, e mbushur me matrapazë, bashkëpunëtorë banditësh e vrasësish, ky gjysma u arratisën jashtë vendit sapo filloi vettingu, nuk i duhet as dreqit e jo më drejtësisë.
Ndaj le të mos bërtasim, se shteti po bie e po bëhet kiameti. Nëse ka një përgjegjshmëri minimale politike e atdhetare, opozita duhet të japë votën, jo për t’ia dhuruar drejtësinë Ramës, por për të gjetur një zgjidhje për të mos e zhbërë sistemin deri në katarsisin e tij të plotë. /Nga Mentor KIKIA/