“Arrest me burg” ka vendosur Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër për Fabian Vukajn, i cili akuzohet se vrau motrën e tij Diana Vuka. Ndërkohë që autori në sallën e gjyqit është shfaqur i heshtur, me kokën ulur dhe nuk ka pranuar të flasë.
Krimi i rëndë dyshohet të ketë ndodhur më 4 qershor dhe u zbulua nga Policia dy ditë më vonë, pas telefonave së të afërmve të viktimës pasi kishin humbur kontaktet me të. Në shtëpinë e viktimës Policia gjeti edhe 6 shishe birre 1.5 litërshe, të cilat janë konsumuar nga autori i dyshuar dhe ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin që ka kryer vrasjen.
Sipas burimeve nga vendngjarja, autori i dyshuar, Fabian Vuka, ishte një person i alkoolizuar gjatë gjithë kohës, si dhe luante bixhoz në vijimësi. Gjithashtu Fabian Vukaj ishte edhe i papunë, çka e ka shtyrë të motrën t’i dërgonte çdo muaj një shumë prej 300 eurosh për ta ndihmuar.
Sjelljet agresive të 55-vjeçarit Fabian Vukaj janë të hershme. Madje ai ka qenë i dënuar me 10 vite burg në rininë e tij gjatë kohës që kryente shërbimin ushtarak. Në atë periudhë, sipas burimeve të “Panorama”, mësohet se Vukaj ka plagosur një tjetër ushtar, duke kryer më pas edhe dënimin prej 10 vitesh.
Pas daljes nga burgu, ai bëri një jetë problematike i varur nga alkooli dhe bixhozi, duke mos u martuar. Ai jetonte vetëm në banesën e familjes shumë pranë qendrës së qytetit të Shkodrës.
Fabian Vuka u arrestua brenda oborrit të shtëpisë, ndërsa Policia ka gjetur edhe armën e krimit tip pistoletë me silenciator, me të cilën kreu vrasjen, gëzhoja si dhe disa prova të tjera. Fakti që e ka qëlluar me një pistoletë me silenciator ka bërë që komshinjtë të mos dëgjojnë asgjë, ndaj edhe viktima ka qëndruar dy ditë e pajetë në shtëpi.
Viktima do të festonte 58-vjetorin e lindjes më 7 qershor, por jeta e saj u ndërpre tragjikisht në mes nga i vëllai. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje tragjike në Shkodër. Diana Vuka kishte probleme të vazhdueshme me vëllanë e saj dhe madje kishin përfunduar edhe në Polici. Në nëntor të vitit të kaluar, ajo është kërcënuar me vrasje nga 55-vjeçari.
Në atë kohë e ndjera kishte telefonuar një miken e saj duke i treguar për rrezikun: “Eja se Fabiani ka bërë planin për të më vrarë”, mësohet t’i ketë deklaruar ajo. Pas kësaj ka ndërhyrë Policia, pa ndërmarrë ndonjë masë ndaj agresorit dhe duke e mbyllur çështjen me pajtim midis tyre.
Ndërkohë, rreth tri vite më parë, Fabiani Vuka ka rrahur të motrën. Pas ngjarjes, ajo bëri denoncim në Policinë lokale, por më pas e tërhoqi atë.