Dita e dytë e sterilizimeve në fshatin Barbullush përfundoi sot, me 14 qen të operuar, duke e mbyllur këtë projekt me 26 qen nga 30 që kishim planifikuar!
Kemi shumë për të thënë për këtë ditë dhe disa mësime të rëndësishme të nxjerra nga kjo eksperiencë. Po e fillojmë duke falenderuar veterinerët Trim Haskocela, Mario Nesturi dhe Dejvis Filaj, për punën e mirë, pavarësisht kushteve jo fort të favorshme! Shpresojmë të bashkëpunojmë sërish në të ardhmen.
Bravo Andrea që i ka strehuar shumicën për rekuperim. Përveç kapjes së qenve të rrugës, shkuam edhe te familjet e interesuara që t’ia sigurojmë transportin e qenve të tyre te dyqani ku po kryenim sterilizimet.
Kjo gjë na ka hapur sytë dhe therur zemrën se në ç’kushte të këqia mbahen qentë. Mjafton t’ju themi se jemi kthyer në Shkodër me 8 qen. Në ditët në vazhdim ju përditësojmë me historitë e tyre.
Një qytetar e braktisi qenin e tij te vendi i sterilizimeve dhe nuk pranoi të hante arsye. Të tjerë vinin të bërtisnin që të mos sillnim qen te vendi i sterilizimit pasi po bezdiseshin nga të lehurat.
Pika kulmore arriti kur vullnetarët tanë po kapnin një qen me anestezi ndër plehra. Një grua që pretendonte se ishte e zonja, lëshoi kujën dhe thirri të birin. Pavarësisht se u përpoqëm me shumë qetësi t’ia shpjegonim veprimtarinë tonë, vullnetarët tanë janë kërcënuar dhe intimiduar me disa mënyra, duke filluar nga gjoja gjobitja me 5000€, marrja e gjakut, e deri te thirrja e policisë. Këta të fundit i falenderojmë për profesionalizmin e treguar.
Qëllimi jonë ishte të bënim diçka të mirë në komunitetin e Barbullushit, duke sterilizuar, mjekuar dhe dhënë antiparazitare qenve të shkretë, në rrugë e ndër familje.
E gjitha kjo falas, pa asnjë kosto për bashkinë apo banorët, por paguar nga Pro Qen Albania. Pavarësisht pezmit me të cilin jemi larguar, tani e dimë si duhet të përgatitemi për një projekt në kushte të tilla si dhe çfarë ka mbetur pa u realizuar në këtë komunitet. Ju falenderojmë për mbështetjen dhe inkurajimin tuaj! /Publikuar në faqen zyrtare të Facebook të Animals Need Me/