Data 23 tetor 1956 shënoi fillimin e 13 ditëve që lane gjurmë jo vetëm në historinë e Hungarisë, por mbarë Europës që në atë kohë, ishte ndarë nga një perde e hekurt, e simbolizuar me Berlinin dhe murin që mbante emrin e këtij qyteti gjerman.
Demonstratat në fakt, kishin nisur që në qershor të atij viti, kur shenjat e zbehta të reformës politike në Poloni, krijuan iluzionin se ndryshime të tilla, mund të bëheshin edhe në Hungari.
Protestues të të gjitha moshave dhe profesioneve, të rinj e të reja, punëtorë dhe madje edhe disa ushtarakë, kërkonin më shumë demokraci e liri nga ajo që ata e shikonin si një presence shtypëse e sovjetikëve në Hungari.
Deklaratat e liderit komunist- Stalinist të Hungarisë, Erno Gero, ku ai vlerësonte politikat e Bashkimit Sovjetik, ndezën edhe më shumë protestën e hungarezëve.
Studentët kërkonin me çdo kushte e çmim plotësimin e 16 kerkesave të tyre, ku kryesoret përmbanin: Liri dhe të drejta të individit; më shumë ushqime dhe reformë në bujqësi; suprimimin e policisë sekrete; heqjen e bustit të Stalinit; zhvillimin e zgjedhjeve të reja me pjesëmarrjen e shumë partive, pra pluralizëm politik; reformimin e sistemit ekonomik; pavarësinë e gjykatave etj.
Gjatë 13 ditëve, në betejat e mirëfillta, u vranë nga shteti komunist qindra protestues në Budapest dhe qytete të tjera hungareze. Në këto kushte, qeveria filosovjetike, kërkoi mbështetje nga Bashkimi Sovjetik, i cili dërgoi një divizion të blinduar që rrethoi kryeqytetin Budapest. Studentët arritën të rrëzonin bustin e Stalinit, koka i ra në rrugë ndërsa në piedestal mbetën vetëm çizmet e tij. Përleshja e rrugëve u shkallëzua në përgjigje të demonstrimit të forcës ruse.
4 Nëntori 1956 shënoi edhe shtypjen me dhunën shtetërore dhe me mbështetjen e tankeve sovjetike të Kryengritjes Antikomuniste të Hungarisë, edhe pse rezistenca sporadike vazhdoi deri me 11 nëntor. Edhe sot e kësaj dite, akoma nuk ka një shifër të saktë të ë vrarëve por janë mbi 2500, të plagosurit ishin me mijëra, ndërsa rreth 200 mijë persona u larguan drejt Përendimit pasi Hungaria nuk ishte më një vend i dëshiruar për ta. Budapesti pothuajse u shkatërrua, në vend erdhi një qeveri demokratike por jetëshkurtër dhe komunistët u rikthyen sërish për tu larguar përfundimisht në vitin 1989.
Regjimi stalinist shqiptar i Enver Hoxhës, por më pas edhe ato të vendeve të tjera ish- socialiste (me përjashtim ti Jugosllavisë), e cilësuan atë që ndodhi në Budapest dhe në Hungari si “Kundër revolucioni hungarez”, duke e cilësuar të tillë në historiografinë zyrtare, deri në rënien e komunizmit në vitin 1991.
3 të rinj shkodranë morën të parët guximin të mbështesnin Kryengritjen Antikomuniste të Hungaris. Ata ishin artistë, studionin pranë liceut artistik Tiranë për vegla dhe kanto, përkatësisht Nikolin Pavaci 19 vjeç, Karlo Cefa 18 vjeç dhe Ndrekë Bazhdari pa i mbushur 17 vjeç. Këta djem të rinj morën kurajën të parët të thyenin heshtjen e nderë. Ata krijuan një formë besëlidhje të quajtur “Breznitë Kastriote” dhe iu përveshën punës, kuptohet në mënyrë të fshehtë, që të sensibilizonin opinion publik.
Ata arritën të gjenin veglat e duhura dhe të shkruanin me qindra trakte me dorë (me pendë retis), ku bënin thirrje studentëve dhe mbarë rinisë që të merrnin guximin si rinia hungareze e të ngriheshin kundër të keqes së përbashkët, regjimit stalinian që ishte instaluar në Shqipëri.
Këto trakte i shpërndanin gjatë gjithë natës, për disa net me rradhë, duke mos fjetur fare dhe duke u gjendur në mjes pranë autoparlantëve të kumtesave dhe më pas në sallat e studimeve sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
Këto trakte u shpërndan në rrugët kryesore të Tiranës, Shkodrës si dhe në institucionet si gjimnaze, komiteti ekzekutiv i Shkodres etj.
Forcat e Sigurimit të Shtetit, të irrituar jashtë mase për këtë veprim nën hundën e tyre, u vunë në lëvizje për zbulimin dhe kapjen e këtij grupi derisa pas gjashtë muajve arritën t’i identifikonin, i arrestuan dhe pas torturave ç’njerëzore, pa marrë parasysh fare që ishin nën moshë i dhanë dënime shembullore nga 12 -14 vjet, në kampet dhe burgjet më famëkeqe të kohës, ku për herë të parë në historinë e burgut të Burrelit mbyllet një fëmijë 17 vjeçar , i cili duke qenë nën moshë mori përsipër pjesën më kryesore të ngjarjes, në mënyrë që të tre të mund t’i shpëtonin dënimit me vdekje dhe ai u dënua me 14 vite në Burrel me vendim gjykate Nr 105, dt 6/8/1957, gjoja gjysëm dënimi.
Mesazhi që përcjell Kryengritja Antikomuniste Hungareze, edhe sot pas 64 viteve, është mjaft aktual edhe për ne shqiptarët. Liria dhe demokracia, janë të drejta që duhen kërkuar e fituar me çdo mënyrë, me çdo sakrificë. Ngjarjet e Budapestit por edhe të tjera, si Kryengritja Antikomuniste e Postribës 10 vjet para demonstratave në Hungari, kanë treguar se shqiptarët nuk i nënshtrohen diktaturave.
Qofshin diktatura të para vitit 1990, por edhe të atyre që me fasadë “pluraliste”, po rrezikojnë të instalohen në vendin tonë! /Nga Voltana ADEMI/