Erion Veliaj nisi sot pasdite zbatimin e misionit që i është besuar. Pushtimin apo marrjen e kalasë me emrin Teatri Kombëtar! Në prag të mbylljes së orarit të liridaljes, ai dërgoi disa policë bashkiakë me një letër në dorë, ku i kërkonte “zaptuesve”, të lironin pronën e Bashkisë së Tiranës.
Sepse tashmë, zyrtarisht prej dy ditësj, një simbol mbarëkombëtar si Teatri Kombëtar, i kalon në pronësi një bashkie, qoftë ajo edhe më e madhe dhe më e rëndësishmja në vend, ajo e kryeqytetit.
Kur askush nuk ua mori në dorë “pusullën e bakallit”, e ngjitën në një xham ku nuk vonoi dhe ra në tikë e grisur. Sepse Teatri Kombëtarnuk ka një pronar, as disa, ndryshe nuk do quhej Kombëtar!
Këtu nis “loja” që i është besuar Erion Veliajt. Pasi nuk ia doli ta marrë “kalanë” Leshaj me forcat e tij të Policisë së Shtetit, pasi artistët nuk u zmbrapsën as përballë kërcënimeve që morën, Edi Rama po luan një “lojë” tjetër.
Vertetë është Teatër Kombëtar, simbol i natyrshëm i artit të çdo kombi, por tashmë prej dy ditësh, nga çeshtje kombëtare, po kthehet në çeshtje lokale, edhe pse e baskisë më të madhe në vend, asaj të Tiranës.
Kryeministri i ka bërë llogaritë mirë. Në prag të zgjedhjeve që maksimalisht brenda një viti duhet të bëhen detyrimisht sipas Kushtetutës, “kostot” e padiskutueshme që ka marrë e do të merrte nga qasja me Teatrin Kombëtar, ia kalon Veliajt. Ai është rikonfirmuar kryetar bashkie as një vit më parë dhe i ngelen edhe tre vite që ti harrohen “zullumet”, mes të cilave edhe Teatri Kombëtar.
Po ashtu, duke qenë tashmë një çeshtje lokale, pra çeshtje “zaptimi” e një prone të një bashkie, teorikisht interesi ndërkombëtar por edhe ai vendas, sidomos mediatik, mund të vijë duke u ulur. Në të njëjtën kohë, për pozicionin e rëndësishëm që ka për Tiranën, Veliaj mund të jetë edhe mbyllagojë e medieve, sidomos atyre kombëtare, me biznese të hapura e të fshehura me Bashkinë e Tiranës. Aq më tepër kur Veliaj është i njohur për raportet e mira që ka ndërtuar dhe konsoliduar me gazetarë e media, përmes borderove të shumta të institucioneve në varësinë e tij.
Ngjan se Erion Veliaj më shumë se ka marrë detyrë, është para një sprove force përballë shefit të tij Edi Rama. Marrja e kalasë Teatri Kombëtar, në një farë mase është edhe “guri i provës” për pasardhësin brenda PS-së. Edhe pse në pamje të parë duket se Veliaj nuk ka pasues brenda PS-së për të zëvendësuar Edi Ramën, ai e ka të qartë se nuk duhet të flejë i qetë. PS-ja, pavarësisht se e transformuar thellësisht në Rilindje, është e paparashikueshme, sidomos kur të nisë të fryjë era e largimit të Ramës nga drejtimi, erë që pashmangshmërisht do të fryjë pas pak muajve dhe me shenja të dukshme për të gjithë. Veliaj duhet të tregojë “dorë të fortë”, jo vetëm duke marrë kalanë Teatri Kombëtar, por edhe duke e shembur e ndërtuar një tjetër. Sipas gjasave, një projekt si ai që ka për zemër kryeministri.
Një gjë është e sigurtë: Veliaj nuk do ta ketë të lehtë! Deri tani artistët, të mbështetur fort edhe nga shumë kategori sociale e individë, ia kanë dylë të zbythin shtetin e madh. Shteti i vogël apo Bashkia e Tiranës, duket më i lehtë por është edhe më dinak. Aq më shumë kur në aspektin publik- mediatik, Erin Veliaj nuk ka çfarë të humbasë, sidomos përballë një populli me kujtesë blic. Natyrisht, ka shumë për të fituar nëse ia del me sukses. Sepse është në të njëjtën hulli si kryeministri aktual që pas Bashkisë së Tiranës mori edhe… Por për këtë pjesë, duhet pritur. Të paktën edhe 8-9 vjet! Tani ka prioritet pushtimin apo dorëzimin e kalasë Teatri Kombëtar! /Nga Blerti DELIJA/