“Diskutime dhe vendimmarje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike dhe funksionimin demokratik të organeve të saj”. Është ky rendi i ditës i mbledhjes së Kryesisë së PD- së që u është njoftuar me mesazh antarëve të saj nga sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi.
Në situatën aktuale të PD- së, ku përballja Basha- Berisha po ashpërsohet çdo ditë, nuk është e vështirë të aludohet se pjesë e diskutimeve, mbase edhe e vendimmarrjes së Kryesisë, do të jetë edhe ish- kryeministri Berisha. Vetëm kështu mund të komentohet apo deshifrohet pjesa e dytë e mesazhit të Bardhit “marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike dhe funksionimin demokratik të organeve të saj”.
Basha duket se ka bërë lëvizjen e duhur, teksa ka mbledhur organin më të vogël kolegjial për vendimmarrje të mundshme, Kryesinë. Bazuar në statutin e Partisë Demokratike, gjërat janë mjaft të qarta.
Berisha është antar i PD- së dhe statuti në Nenin 13, pika 2, është mjaft e mirëpërcaktuar. “1. Anëtarët kujdesen për ruajtjen e etikës në komunikim dhe respekt të ndërsjellë ndaj njëri-tjetrit, organeve të partisë dhe funksionarëve politikë. 2. Anëtarët dhe organet e partisë veprojnë në përputhje me Statutin dhe Programin e PDSH-së. Çdo vlerësim apo nismë personale e anëtarit të partisë, e shprehur nën këtë cilësi, duhet të jetë në përputhje me Statutin dhe Programin e PDSH-së. Anëtarët e PDSH-së veçanërisht shmangin çdo mënyrë, veprim apo neglizhencë që dëmton interesat elektorale apo politike të PDSH-së. 3. Rregullat e hollësishme për të garantuar disiplinën e brendshme dhe masat disiplinore në rast të cenimit të saj, përcaktohen në aktet nënstatutore”.
Ky nen, sigurisht është edhe çeshtje interpretimi, nëse Berisha me “Foltoren” e tij është në kundërshtim me përcaktimet e tij. Në çdo rast, do të duhet një votim, pas çdo propozimi të mundshëm nga Basha ose antarë të tjerë të Kryesisë së PDSH- së. Ajo që mbase diskutohet është nëse Basha ka shumicën e Kryesisë së PDSH- së në një vendimmarrje të mundshme. Po cilat janë dhe si merren masat disiplinore sipas statutit të PD- së?
Paralajmërim, pezullim dhe përjashtim janë masat e përcaktuara në statut, neni 27 i tij. Siç dihet, me vendim personal të kryetarit Basha, Sali Berisha është i pezulluar nga GP i PD- së por si antar i partisë, nuk ka ndonjë masë publike. Megjithatë, masat disiplinore nuk është e përcaktuar nëse duhet të pasojnë njëra-tjetrën në shkallë hierarkie apo mund të jepen sipas gjykimit të Kryesisë.
Nuk është çudi që mbledhja e nesërme e Kryesisë së PD- së të jetë edhe një “gur prove” për Bashën për të verifikuar mbështetjen që ka në këtë strukturë kolegjiale. Pas Kuvendit Kombëtar të tre muajve më parë ku u zgjodh edhe Këshilli Kombëtar që emëroi Kryesinë e re, teorikisht Basha duhet të ketë shumicën për vendimmarrje. Por jo pak do të varet edhe nga situata aktuale në PD, përballja Basha- Berisha dhe perceptimi individual i secilit nga “Foltorja” e reagimi i antarësisë demokrate.
Nëse Basha ia del të rreshtojë Kryesinë me një masë disiplinore ndaj Berishës apo konfirmimin e përjashtimit të tij nga GP i PD- së, do të ishte një fitore jo e vogël për kryedemokratin edhe në prag të Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit 2021 të thirrur nga Berisha. Nëse nuk do të ketë propozim për vendimmarrje apo nuk do të ketë fare vendimmarrje, mbledhja e Kryesisë së PD- së nuk do të përbëjë lajm dhe do të ishte bonus për Berishën në nismën e tij për largimin e Bashës. /ShkodraWeb/