Një mbledhje e vështirë e Grupit Parlamentar të PD- së është zhvilluar në selinë blu. Për gati 8 orë deputetët demokratë kanë diskutuar e debatuar. Kryefjalë vijon të mbetet “bashkimi” edhe pse fjala që përdoret më shumë në artikulimet publike është “përçarje”.
Pas 25 shkurtit, duket se vendet e palëve në slinë blu kanë ndryshuar. PD po administrohet nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit pas vendimit të dhënë nga gjykata për njohjen e Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit. Pala tjetër, ajo që konsiderohej si “PD- ja zyrtare e Bashës”, vazhdon të mbijetojë më së shumti në degët lokale, duke u shfaqur herë pas here me deklarata kundër procesit të zgjedhjeve të iniciuara nga Komisioni i Rithemelimit.
Jashtë këtij realiteti, mesa duket mbeetet Grupi Parlamentar i PD- së. Duhet pranuar se, nga 9 shtatori deputetët kanë kaluar situata jo të lehta. Lideri historik u shpall “non grata”, ai u pezullua nga kryetari Basha nga Grupi Parlamentar, ishte “Foltorja”, më pas “11 dhjetor”, “18 dhjetor” i të dy palëve, “8 janari”, “6 marsi” e për të përfunduar me largimin e Bashës me drejtimi i PD- së, duke i besuar Gazment Bardhit komandimin e Alibeajt si kryetar,
Janë shumë ngjarje e situata jo të lehta, të cilat padyshim kanë ndikuar tek të gjithë deputetët. Por përsëri, edhe pas gjithë këtyre ngjarje, akoma nuk ka kthjelltësi në Grupin Parlamentar të PD- së. Pas ikjes së Bashës, në PD është krijuar “beteja” në mes dyshes Alibej- Bardhi me Berishën. Ndërsa ky i fundit si gjithmonë flet për votën e antarësisë, dy të parët vazhdojnë të merren me pjesën juridike të çeshtjes. Apeli ka pranuar të marrë në shqyrtim ankimimin e Alibeajt për vendimin e Gjykatës së Tiranës që miratoi ndryshimet e Kuvendit Kombëtar të Bashës me 17 korrik 2021. Sigurisht është një teknikalitet, për të zhbërë hallkën e vendimmarrjes që i paraprin vendimrrajes së gjykatës për “11 dhjetorin” e Berishës.
Por sërish, elita politike e PD- së, nëse mund të konsiderohet kështu Grupi Parlamentar i PD- së, nuk po arrin të oriendtohet, të dalë me një qendrim, qoftë edhe përmes një votimi formal brenda tij. Në shumë raste, krijohet perceptimi se Grupi Parlamentar i PD- së nuk ka asnjë lidhje me situatën në selinë blu. Duket se janë ekstratokësorë që ka ardhur nga planet tjetër, nuk dinë të shohin, të lexojnë, të kuptojnë të mësojnë apo dhe të pozicionohen. Shkurt, janë të çoriditur, ose siç thotë populli, me një këmbë tek Basha e tjetrën tek Berisha, si dy brigjet e një lumi.
Pjesa dërrmuese e Grupit Parlamentar të PD- së, deri me 6 mars, rreshtohej publikisht në krahun e Bashës. Në fakt, jo aq shumë të tij sa të deklaratave të ambasadores Kim dhe DASH. U mendua se pas zgjedhjeve të pjesshme vendore të këtij viti, çeshtja do të zgjidhej përfundimisht përmes votës, e cila u pasua edhe nga vendimi i gjykatës që njohu “11 dhjetorin” e Berishës. Por jo, Alibeaj nisi përsëri përballjen juridike për vulën, selinë e logon.
“Foltorja” por edhe “6 marsi”, dhanë një verdikt të thjeshtë. E ashtëquajtura “PD- ja zyrtare e Bashës” ishte pakicë, minoracë, brenda PD- së por edhe tek zgjedhësit. Sigurisht, në një sistem demokratik, pakica respektohet, mund të organizohet edhe në fraksion, por nuk mund të udhëheqë një shtet apo një forcë politike. Shembullin më të qartë deputetët e PD- së e kanë para hundës përditë në komisione parlamentare dhe në sallën e seancave plenare të Kuvendit. Madje, në disa raste, shumica i mohon edhe të drejta kushtetuese, të pamohueshme, siç janë komisionet hetimore.
Ndërkohë, brenda PD- së që i kandidoi, i mbështeti dhe i bëri deputetë, kanë një tjetër standart. Në emër të “bashkimit”, ata kërkojnë të katapultohen në krye të seksioneve, grupseksioneve, degëve apo kryesive lokale të PD- së pikërisht përfaqësuesit e pakicës. Rruga e zgjedhur, është kontestimi i procesit të nisur nga Komisioni i Rithemelimit me zgjedhjet në formë kapilare në bazë. Ndërsa, e vetmja rrugë apo mënyrë, është të futen në garë, të ofrojnë emra e alternativa, ti nënshtrohen votës së antarësisë. Pë të krijuar këtë hapësirë, Komisioni i Rithemelimit shtyu çdo gjë nga 22 marsi deri me 30 prill kur do të mblidhet edhe Kuvendi Kombëtar. Përsëri po kërkohet një shtyrje tjetër, përsëri rreth një muaj, sërish në emër të “bashkimit”.
E kështu, me shtyrje pas shtyrje, mund të ecet pambarimisht, duke e dërguar riformatimin e PD- së në “kalendat greke”. Grupi Parlamentan është një strukturë e rëndësishme e përballje politike në Kuvend e jashtë tij. Por është vetëm një strukturë. Janë disa të tjera, më të rëndësishme në organizimin e një force politike, duke nisur nga Kuvendi Kombëtar, Këshilli Kombëtar, Kryesia e Kryetari. Po kështu edhe në bazën e PD- së. Të gjitha këto nuk mund të shumëzohen me zero. Aq më shumë, kur këta deputetët, funksionin e tyre e kanë të garantuar edhe rreth 3 vjet. Dhe janë zgjedhur falë rreshtimit në vende të sigurta në listën e kryetarit. Të paktën, pjesa dërrmuese e tyre… /Nga Blerti DELIJA/