Nga Sokol N. SOKOLI
E pranojmë me vështirësi dalje nga rutina, e zakonshmja, shablloni. Për 45 vite nën diktaturë, në emër të krijimit të “njeriut të ri”, shumica e shqiptarëve u transformuan në një qënie që parim kryesor të jetës kishte “besnikërinë ndaj partisë”. “Çfarë thotë Partia bën populli dhe çfarë do populli bën partia”, ishte fasada tjetërsimit ideologjike e cila në fakt, vazhdoi deri ditën e djeshme në këtë vend.
Dje, të mainpuluar apo magnetizuar (konsiderojeni si të doni, ju edhe unë) nga Sali Berisha, 4935 delegatë, për herë të parë në 31 vite, iu imponuan kupolës së një partie, në këtë rast, Partisë Demokratike. Përtej të gjitha tentativave, deri në këto momente, Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit nuk është delegjitimuaar dot nga lidershipi i deritanishëm i i PD- së. Askush nuk ka thënë se delegatët nuk ishin apo ishin më pak se kuorumi i nevojshëm.
Ky Kuvend u parapri nga një fushatë e pandalshme për ta identifikuar Sali Berishën dhe ata që mund ta mbështesin, si antiamerikanë. Madje, në këtë “lojë”, për të bindur delegatët ta braktisin Berishën, u fut përveç ambasadores amerikane në Tiranë edhe një zyrtar i lartë siç është Gabriel Escobar. Duhet pranuar, që pati ndikim kjo fushatë. Pak orë para Kuvendit Kombëtar Berisha deklaroi si numër firmëtarësh 5200 delegatë, ndërsa me 11 dhjetor 2021, munguan më shumë se 200. Kaq ishte efekti i “antiamerikanizmit” të Berishës.
Duket e çuditshme, por në “betejën” për PD- në, duket se pas 11 dhjetorit janë ndryshuar rolet. Basha e konsideronte Kuvendin Kombëtar të thirrur nga antarësia si miting, jo legjitim. Edhe kjo, tjetër tentativë për të dekurajuar delegatët të merrnin pjesë. Ndërkohë, kuorumi me 11 dhjetor ishte i mjaftueshëm për të marrë vendime dhe të paktën 4446 delegatë, votuan për shkarkimin e Bashës, fati i të cilit do të përcaktohet me referendum nga antarësia me 18 dhjetor. Sipas vullnetit të shprehur të delegatëve, tashmë çdo lëvizje e Bashës nga 11 dhjetori, do të ecë nën hijen e ilegjitimitetit. Të paktën, deri me 18 dhjetor, nëse Basha do të mundet të tregojë si e bëri Berisha me 11 dhjetor se Kuvendi i thirrur nga ai, do të ketë të njëjtin legjitimitet.
Në fakt, teksa 4935 delegatë shkuan në Kuvend me 11 dhjetor, ku të paktën 4446 miratuan shkrirjen e të gjitha institucionave aktuale të PD- së, i bie se nuk kanë arsye dhe motiv të shkojnë me 18 dhjetor. Automatikisht, i bie që me 18 dhjetor nuk mund të ketë kuorum vendimmarrje nëse trupa e rreth 7600 delegatëve, është ajo e Kuvendit të fundit të 18 korrikut 2021. Ka edhe një detaj tjetër, të vogël, teknik e organizativ që mund të vërë në vështirësi Bashën me Kuvendin e tij me 18 dhjetor. Salla e Pallatit të Kongreseve ka një kapacitet të caktuar, rreth 2 mijë vende. Pretendimi i zakonshëm se “të tjerët janë rrotull, në kafene, i thërrasim të votojnë”, nuk mund të ecë më. Sidomos, kur para këtij kuvendi, u mblodh një tjetër me me transparencë maksimale dhe të vertetueshme edhe nga mediat.
Pyetja që mund të ngrihet është shumë e thjeshtë: A mund të ngjizë më si tezë “antiamerikanizmi” i Berishës në betejën për PD- në? Tashmë që Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit, me delegatë të manipuluar, hipnotizuar apo magnetizuar (konsiderojeni si të doni) nga Berisha, ka marrë vendimet që dihen, kjo tezë nuk ka më vlerë. Delegatët e kanë bërë zgjedhjen e duhur. Rruga e vetme që Basha të rifutet në legjitimitet është Kuvendi Kombëtar i 18 dhjetorit. Nëse nuk tejkalon në të gjitha aspektet atë të 11 dhjetorit, edhe para një gjykatësi të ftohtë të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, fati i drejtimit të PD- së është i lehtë të zgjidhet. Gjithmonë, nëse nuk flasim për kamikazë- gjyqtarë.