Mazhoranca aktuale është e konsoliduar në numrat e saj në Kuvend. Nga shtatori 2021 deri më sot, këtë e ka konfirmuar në çdo rast votimi në parlamentin e vendit. Në normalitet, duhet pritur viti 2025 për të parë zgjedhjet e zakonshme parlamentare. Por a mund të zhvillohen ato para kohe, në pranverën e vitit që vjen?
Me shumë mundësi, vjeshta e këtij viti do të krijojë mundësitë për një qeverisje përtej Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj të dukshëm e të padukshëm. Nga niveli qendror deri në atë lokal, nga PD- ja e vulës po flitet me optimizëm për mundësinë e përfshirjes në qeverisjen e vendit nga kjo vjeshtë. Po a mund të futet Basha në një qeveri normale deri në 2025- ën bashkë me Ramën kryeministër? Duhet një motiv i fortë…
Reformat në kuadër të integrimit në BE që duan edhe mbështetjen e opozitës, janë kusht i pamjaftueshëm. Basha mund të përfshihet vetëm në një qeveri me detyra të percaktuara qartë, teknike, me bazë të gjërë apo uniteti kombëtar, mbiemra të dëgjuar edhe më parë në këtë vend. E sigurisht, duhet nxitja apo bekimi i ndërkombëtarëve, mbase një zyrtar i lartë i DASH- it mund të vijë në Tiranë nga fillimi i vjeshtës si katalizator apo kumbar.
Shpallja e zgjedhjeve të parakohëshme, mund të justifikojë edhe përfshirjen politike të Bashës dhe PD- së së vulës në bashkëqeverisje me Ramën e PS- në. Nga ana tjetër, Basha dhe PD- ja e vulës kanë gjasa të fuqizohen, pasi të marrin dhe të shpërndajnë në të gjitha nivelet tortën e pushtetit. Nga ana tjetër, në zgjedhje të parakohëshme parlamentare në 2024- in, Rama dhe PS do të hynin të favorizuar, përballë një opozite që vështirë të ketë unifikim real brenda një kohe kaq të shkurtër.
Me shumë mundësi, duke sakrifikuar një vit, Rama dhe PS mund të fitojnë një mandat 4- vjeçar, ndoshta duke justifikuar edhe vijimin e bashkëqeverisjes, në varësi të votave që do të marrë, edhe me PD- në e vulës dhe Bashën. Pse jo, në 2027- ën edhe rokada e madhe: Rama në presidencë për të mbyllur karrierën politike e Basha, në karrigen e shumë ëndërruar të kryeministrit. Sigurisht, jo vetëm me forcat e veta… /Nga Blerti DELIJA/