Lufta është një vend ku të rinj që nuk njihen dhe nuk urrehen- vriten, në bazë të vendimeve të marra nga pleq që njihen dhe urrehen por nuk vriten – Paul Valery
Që në krye të herës të këtyre rreshtave modestë, do të doja të pozicionohesha qartë: Nga konflikti tashmë më shumë se një javësh në mes Izraelit dhe Hamasit, nuk përfiton asnjë qytetar izraelit dhe asnjë qytetar palestinez. Deri në këto momente, janë mbi 1400 izrealitë dhe 2500 palestinezë që kanë humbur jetën, teksa këto shifra me gjasë do të vazhdojnë të rriten.
Analiza e opinione, në varësi të informacionit, bindjeve, logjikës por edhe besimit fetar deri diku, ndryshojnë edhe thelbësisht nga individi në individ, sidomos kur e sheh nga larg, nta televizori apo rrjetet sociale, siç ndodh në rastin e Shqipërisë. Dikush rreket të gjejë zanafillën e konfliktit të radhës dhe të pandërprerë në librat e shkrimet e shenjta të një besimi fetar apo tjetër. Përmenden pa fund citate për të justifikuar njërin krah apo tjetrin.
Ata që janë informuar disi apo kanë lexuar më shumë e kanë logjikë më të ftohtë, i kthehet vitit 1947- 1948 që shënoi pikënisje të shtetit të Izraelit dhe moskonstituimin e shtetit të Palestinës për arsye që tashmë dihen. Në lojë fusin Britaninë e Madhe, fuqitë e mëdha, OKB- në, Mbretin Zog të Shqipërisë, Egjiptin etj., etj.
Teoritë vazhdojnë me vitet më të vona, në fundin e shekullit të kaluar, me Jaser Arafatin, OÇP- në, çmimin Nobel për paqen, Autoritetin Kombëtar Palestinez, Hamas, Hezbollah, Islmail Hanijeh, shitët, sunitët, vendet fiqnje dhe të rajonit, Iranin e Ajatollah Khameneit, Egjiptin e Al Sisit etj., etj. Më së shumti, logjika e arsyetimit bazohet tek besimet, shkrimet e shenjta, librat e shenjtë.
Më interesantët sipas meje, janë ata që tjerrin “teori konspirative” të tipit “Urdhri i Ri Botëror”, ndryshim të konceptit të qeverisjes së shteteve e kombeve jo nga qeveri autonome por të dirigjuara nga një “dorë” që i komandon dhe ato janë thjeshtë marioneta që duhet të zbatojnë skenarë të gatshëm. Dhe e gjithë kjo “teori konspirative”, ka mbetur të zbulohet lehtësisht në rrjete sociale….?!
Historia e njerëzimit, të paktën ajo që njihet, është zbardhur apo zbuluar deri më tani, ka treguar se asgjë nuk ka qenë ashtu siç duket. Lufta e Parë dhe e Dytë Borëtore, të zhvilluara brenda një harku të shkurtër kohor (1914- 1945), kishin nga një shkak zyrtar. Natyrisht, janë identifikuar edhe fajtorë, fitues, të mundur, viktima e të fituar pas saj. Edhe sot, pasi është ndryshuar shekulli e mijëvjeçari nga ajo kohë, logjika nuk funksionon për të justifikuar qindra milionë jetë të humbura, gjymtuara, tjetërsuara.
Lufta e ka shoqëruar njeriun e njerëzimin që në gjenezë. Është një mallkim që e ndjek e fatkeqësisht do ta ndjekë racën njerëzore. Natyrisht, ka edhe ideatorë, nxitës e përfitues nga këto luftra. Nuk është sekret që mbahet në këmbë një industri e pafund e prodhimit dhe tregtimit të armëve. Kohë pas kohe, “magazinat” duhet të zbrazen, teknologjia të ndryshohet drejt modernizimit. Haraçi, thuajse si në çdo biznes tjetër, janë jetët njerëzore. është djallëzore ta mendosh, por kështu na rrëfen historia e njerëzimit deri tani. Zaptimet, pushtimet, ideologjitë janë vetëm shkrepësja që ndez zjarrin.
E sigurisht, industria e armëve është vetëm njëra nga ato që synojnë e marrin fitime nga luftrat. Të tjera, më pak të dukshme, edhe në emër të bamirësisë e humanizmit, kanë fitime edhe më të majme. E rëndësishme në situata të tilla, është të dish të lexosh- edhe në kuptimin e parë të fjalës, të arsyetosh dhe…të ndalesh aty. Konkluzionet është e kotë ti japësh, sepse asnjëherë nuk je pranë të vertetës. Sidomos në epokën e mbingarkesës me informacion, nga burime të ndryshme, bazuar në interesa të ndryshme.
Ashtu si edhe jeta po kthehet me shpejtësi në një realitet virtual që na imponohet, edhe për luftrat ekziston i njëjti rregull tashmë. Ajo që na serviret, ajo që ne shohim, është shumë më pak se pjesa e dukshme e një ajsbergu në det. Me gjasë, e verteta e luftrave, edhe e kësaj Izrael- Hamas, nuk do të mësohet kurrë. Sepse kjo botë njerëzore nuk është ndërtuar mbi të vertetën. Në mungesë të saj dhe të besim tek ajo, i jemi drejtuar gjithmonë, që në gjenezë, një fuqie të mbinatyrshme. Të gjithë (të paktën një pjesë e konsiderueshme e njerëzimit) i besojmë asaj fuqie, i besojmë pa e parë madje. Pavarësisht emrave të ndryshëm që i vendosim kur i drejtohemi më shumë nga frika se dashuria. /Nga Blerti DELIJA/