Jo rrallë herë dhe jo të drejtë është përsëritur se Edi Rama që njohim ne deri sot, është produkt i mediave. “Letrat nga ferri”, kryebashkiaku me sopatë në dorë, shprehjet “nuk ka bir k…”, pamjet nudo, debatet në Kuvend në komisione hetimore, “të fala Sandrit” janë vetëm disa nga momentet apo shprehjet që ndikuan direkt në formimin dhe rritjen e imazhit të tij përmes mediave.
Sigurisht, edhe në opozitë si kryetar PS- je, Rama ka patur mediat e tij mbështetëse. Nga viti 2000 deri në 2011, ai ka patur mundësi ti doravitë, ku spikat mes tyre grupi i mediave “Shekulli”, me të cilat prej disa vitesh tashmë, kryeministri nuk i ka punët mirë. “Një bie, mijëra ngrihen” është pari që me gjasë Rama ka ndjekur në raport me mediat. Nga 2013- a e këtej, ai i ka vënë në rresht pjesën dërrmuese të mediave.
“Kërbaçi ose kulaçi” ka funksionuar mrekullisht për kryeministrin, i cili ia ka dalë të vendosë nën hyqmin e tij të kapërtin pushtet, i cili duhet të jetë i pavarur nga të tjerët. Ndërthurja e interesave mediatike me ato të ndërtimit apo konkurrimit në tendera shtetërorë, ka krijuar terrenin e përshtatshëm për tu shfrytëzuar nga Rama. Të njëjtën strategji, përmes zgjatimeve të tij në nivel vendor, ia ka dalë për bukuri të jetë në qendër të vëmendjes.
Rama është konsideruar gjërësisht si dashamirës i mediave dhe gazetarëve, jo vetëm për shkak të doravitjeve të tij për eksponentë të rëndësishëm të tyre. Zanafilla e shfaqjes së tij publike pas largimit nga lëvizja demokratike e 1990- ës, i kushtohet pikërisht pozicionit të tij si publicist, në jo pak raste me imazhin e antikonformistit.
Nuk është e vështirë të konstatohet se qasja e Ramës ndaj mediave sa ishte në opozitë, edhe pse kryebashkiak i Tiranës, ishte shumë e ndryshme nga ajo që ka sot. Ai ka qenë më i ndjeshëm edhe ndaj mediave të veçanta lokale e gazetarëve vendorë, duke krijuar raporte e bashkpunime direkte. Kjo qasje, nisi të ndryshojë rrënjësisht me ardhjen në pushtet pas vitit 2013.
Gradualisht, duke kuptuar fuqinë e pamatë të kryeministrit prahasuar me atë të liderit të opozitës, Rama provoi më shumë “kulaçin” se sa “kërbaçin” në raportet me mediat. Janë miliona euro, të shpërndara në rrugë ligjore përmes tenderave, qokave apo dhe “dhuratave” që media dhe eksponentë të saj, kanë përfituar gjatë këtyre viteve nga Rama. “Afera e inceneratorëve” dhe përfitimet e mediave përmes saj, janë vetëm maja e ajsbergut të këtyre përfitimeve.
Sigurisht, edhe për Ramën do të vinte periudha e “veljes” nga pushteti mediatik por edhe lëpirja pa shumë stil e mediave vasale dhe gazetarëve. Reagimet deri agresive në konferenca shtypi apo studio televizive, janë pjesa e dukshme e kësaj “velje”. Dënimet disa mujore dhe “shkollat e riedukimit” për gazetarët që “pyesin gabim” apo nuk janë shumë të preferuar, janë shenja se Rama nuk e sheh parësore servilosjen e mediave e gazetarëve ndaj tij.
Tentativa për të krijuar median e tij, ERTV, ishte një sinjal ndaj mediave të tjera se “nuk ua kam nevojën”, aq më shumë me një media sociale si Facebook me rreth 1.5 milion ndjekës. Megjithatë, për disa kohë, ai e zhduku këtë media nga transmetimet e tij të panumërta audio- video në rrjete sociale, për ta rikthyer përsëri kohët e fundit. Por me gjasë, arsyeja këtë herë është e ndryshme nga krijimi i ERTV.
Qartas, Edi Rama ka humbur mbështetjen e disa mediave të rëndësishme, audio- vizive apo edhe të shoqëruara me portale. Natyrisht, edhe në mediat print, të shtypura që kanë rezistuar akoma. Ishte e pritshme të vinte një moment përplasje, një moment kur grupe të fuqishme mediatike do të kapërcenin ylberin për tu rreshtuar në mbështetje të opozitës, Sali Berishës, sidomos pas largimit të Lulzim Bashës nga drejtimi i PD- së.
Tashmë, edhe media që u mungon vetëm logoja e PS- së në krye që të identifikohen me Edi Ramën, kanë rritur hapësirën, i japin më shumë zë, në jo pak raste edhe më shumë zë se vetë Ramës, opozitës, Sali Berishës, eksponentëve të tjerë. Ata që janë profesionistë apo edhe thjeshtë hulumtues të rregullt të mediave, e kanë kuptuar ose mund ta kuptojnë fare lehtë.
Në kohën e pandemisë, Rama provoi të vendosë nën kontroll edhe portalet, të vetmet që nuk mund ti komandonte apo doraviste njëherësh me qoka. U përgatitën akte ligjore, të cilat realisht nuk mund të kishin efekt në botën e pamatë e pa limite të internetit por që edhe ishin në kundërshtim me parimet universale të të lirive e të drejtave të njeriut. Me gjasë, ishte prova e fundit, e dështuar për të vënë nën hyqmin e tij plotësisht mediat në këtë vend. /Nga Blerti DELIJA/