Duket e pabesueshme si alternativë, aq më shumë kur kryeministri Rama është i konsoliduar me numra në parlament dhe i fuqishëm pas një fitoreje në zgjedhjet vendore të 14 majit. Një “grosse koalition” nën shembullin e Gjermanisë dikur kur CDU/CSU bashkëqeverisën SPD, mund të prodhojë këtë vjeshtë në Shqipëri një “koalicion të madh”. Në fakt, jo edhe aq të madh.
Duke u kthyer pas në kohë, jo shumë, por vetëm rreth dy vite, ideja e koalicionit të madh u artikulua gjatë dhe pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prill 2021. Nën zë përflitej mundësia e një bashkëqeverisje Rama- Basha, me synim mënjanimin e Berishës nga PD- ja fillimisht e nga jeta politike në vijimësi. Madje, edhe në mitingun e fitores asokohe, në mes të Tiranës, Rama fitimtar i zgjedhjeve, pati një ftesë publike për Bashën, por pasi të distancohej nga Berisha.
Ky i fundit e ka pranuar publikisht se ka patur një skenar bashkëqeverisje, të cilin ai e ka kundërshtuar menjëherë dhe fuqishëm. Nga muaji maj 2021 dhe deri në shtator të atij viti, ka indicie publike se Berisha ishte nën goditje për tu bindur për një “koalicion të madh”, deri në tentativa për ta lënë në hije brenda PD- së dhe politikës shqiptare: Shpallja “non grata” nga SHBA dhe pezullimi nga Grupi Parlamentar i PD- së nga Basha.
Nga shtatori 2021, ngjarjet janë të freskëta. Praktikisht u krijuan dy PD, ajo e Rithemelimit dhe e Vulës. Me 6 mars 2022, Ilir Meta shpalli dekretin presidencial për të futur në zgjedhje 5 bashki me vend vakant kryetari, mes tyre edhe Bashkinë Shkodër. Bardh Spahia fitoi mandatin 1 vjeçar të zgjedhjeve të pazhvilluara të 2019- ës në Shkodër. Rithemelimi humbi 4 bashkitë e tjera, por tregoi epërsi të thellë përballë PD- së Vulës së Bashës. Largimi i përkohshëm, ishte alternativa e mbetur apo sugjeruar Lulzim Bashës, me shumë gjasë, nga ndonjë seli diplomatike.
Sigurisht, rezultati final i 14 majit, përfshi edhe humbjen e Bashkisë Shkodër pas rreth 31 viteve qeverisje të PD- së dhe të djathtës, është përgatitur prej kohësh. Të paktën, që pas zgjedhjeve parlamentare të 2021- it. Natyrisht, bashkëveprim i faktorëve politikë vendas, me bekimin apo udhëheqjen përmes një roadmap nga disa seli diplomatike në Shqipëri. Të paktë kanë qenë ata që kanë besuar se koalicioni Berisha- Meta do të fitonte shumicën e bashkive. Madje, me gjasë, as vetë këta të dy.
Megjithatë, mendohej se Rithemelimi do të mbijetonte me një grusht bashkishë, duke patur sërish bastion Bashkinë e Shkodrës. Në fakt, kjo e opozitës me 14 maj 2023, përtej aludimeve, hamendësimeve, akuzave e kundërakuzave, ishte e një “Vaterlo” e ngjashme me atë të Napoleonit. Por sigurisht, pa shkrehje armësh, topash e përgjakje. PD- ja humbi bastionin e saj, Shkodrën. Sigurisht, goditjen më të fortë nuk e mori PD- ja e Rithemelimit, as kandidati Bardh Spahia. Ishte Berisha ai që e mori dhe me gjasë sipas një skenari të mirëpërgatitur, duhej ta merrte atë goditje.
Pak ditë parazgjedhjeve, në qarqe të Rithemelimit në Shkodër por edhe në Tiranë, qarkullonin zëra të dobët se bastioni historik mund të humbej. Madje, po përgatiteshin për këtë humbje edhe në selinë blu të Rithemelimit në Tiranë. Pyetja që mbase mund të ngrihet është: Zanafilla e asaj që pamë, po shohim e mund të shohim, a ishte nata e 17-18 majit 2017?! Përgjigja mbase nuk do të bhet asnjëherë publike, por indiciet mund të ndihmojnë secilin ti bashkojnë për të formuar puzzle-n.
Berisha më shumë e më pak Meta, nxituan në krijimi e alibive për humbjen katastrofike të 14 majit. Si për çudi, publikisht nuk ka asnjë shqetësim për humbjen e Bashkisë Shkodër. As gjatë fushatës e as pas saj, nuk pati akuza konkrete për manipulim zgjedhjesh, shitblerje votash, intimidime zgjedhësish etj. Të gjithë u kujdesën që të artikulojnë jo konkretisht, më shumë politikisht. A kishte marrëveshje për ndryshimin e ngjyrës në qeverisjen vendore të Shkodrës?! Askush nuk mund ta thotë. 11.700 vota diferencë të PS- së me PD- në e Rithemelimit, lënë shumë pak vend për hamendësime e aludime.
I mbrojtur nga Statuti i Rithemelimit, Berisha nuk kërcënohej nga dorëheqja pas humbjes të zgjedhjeve të 14 majit. Madje, nuk ka ngutje as për analiza lidhur me shkaqet e kësaj Vaterloje politike. Me shumë mundësi, nëse do të ketë, analizat do të nisin në shtator ose më vonë. Mbase bashkë me votbesimin e Berishës për të qendruar në drejtim të PD- së së Rithemelimit. Nëse nuk do të ketë surpriza, ndonjë tërheqje e papritur e minutave të fundit.
Në skenë është rikthyer Lulzim Basha. Pas rreth 1 viti pushim, ai u rifut në politikë. PD- ja e tij, të cilën ia delegoi Alibeajt humbi, është më pak e votuar se Rithemelimi. Por tashmë, pas rreth 10 viteve, ai nuk ka përgjegjësi direkte të humbjen e radhës së subjektit që e mori thuajse “llokum” nga Berisha. Me gjasë, me 29 korrik, do të zgjidhet kryetar i PD- së së Vulës. Gjergj Hani, rivali i tij me parimin “një antar, një votë”, mund të jetë numri 2 i PD- së Vulës. Të gjithë të kënaqur, asnjë i humbur.
Basha e di se përballë Ramës por edhe Berishës, është i humbur pas 2 viteve që vijnë zgjedhjet parlamentare. Do të përpiqet të forcojë PD-në e Vulës dhe rruga më e mirë, më e shkurtër, më efikase, është afrimi me pushtetin, marrja e një pjesë torte, sado e vogël të jetë ajo. E kush mund t’ ia ofrojë atë? Askush tjetër veç Edi Ramës, kryeministrit të plotfuqishëm të këtij vendi.
Natyrisht, edhe Rama ka dhe merr bonuset e tij. Fillimisht, jep imazhin e një njeriu që nuk e ka problem të bashkëqeverisë edhe me kundërshtarin politik në “interesin e vendit”, që është integrimi në BE. Nga ana tjetër, dobëson dy kundërshtarët e vjetër Meta dhe Berisha. Nëse Basha përfshihet në qeverisje, pas 10 viteve do të ketë akses në administratën publike, dikastere, me hapësirë për punësim. Etja e demokratëve është shkretëtire, pas mëse 10 viteve opozite të lodhshme. Me shumë mundësi, do të ketë rrjedhje nga PD- ja e Rithemelimit dhe PL- ja e Metës drejt PD- së së Vulës.
Basha e ka eksperiencën e bashkëqeverisjes me Ramën, në 6 muajt që i paraprinë dhe pasuan zgjedhjet politike të 2017- ës. Vështirë që me dy vjet qeverisje të rrezikojë pushtetin e kryeministrit Rama. Të paktën do të tentojë të rritet, për të dalë me vota e deputetë mbi Berishën e Metën pas zgjedhjeve të 2025- ës. Për tu kthyer në faktorin kryesor të opozitës të paktën, kandidat për kryeministër kur Rama të mërzitet apo ta rrëzojnë të vetët, nëse do të ndodhë ndonjëherë. Për “interesa të vendit”, nuk mund të përjashtohet që edhe pas 2025- ës të ketë bashkëqeverisje Rama- Basha. Por më herët duhet të shohim çfarë do të ndodhë këtë vjeshtë, do të ketë Shqipëria “grosse koalition”!? /Nga Blerti DELIJA/