Qeveria kë shpërndarë draftligjin për amnistinë fiskale. Thelbi i saj, për të mos e komplikuar shumë: Nëse ke akumuluar 2 milion euro, nuk i ke deklaruar asnjëherë, i ke fituar me djersë- vrasje- grabitje- drogë- prostitucion- mashtrim në dëm të një apo më shumë personave, në Shqipëri apo jashtë saj, ke të drejtë ti deklarosh duke i depozituar në një bankë dhe ti pastrosh. Detyrimi i vetëm është të paguash 7- 10% tatim në arkën e shtetit. E njëjta gjë, edhe për pasuritë e paluajtshme.
Në këtë vend, është folur shumë herë për amnisti fiskale, të cilat edhe janë realizuar. Por shuma që ke të drejtë të deklarosh, e fut këtë amnisti të fundit të pritshme, në hullitë e legalizimit financiar të “botës së errët”. Në Shqipëri jo e jo, por as jashtë vendit, me djersë e me punë, askush nuk ka mundur të akululojë në 30 vite një pasuri 2 milion euro. Cili është ai biznes që ofron mbi 60 mijë euro fitim neto në vit?! Askush, përveç “biznesit” të “botës së errët”.
Grupet e strukturuara, përgjithësisht nuk janë të përfshira në një certifikatë familjare që të kufizojë deklarimin deri në 2 milion euro. Kështu që, secili nga antarët e një grupi kriminal, mund të deklarojnë dhe të “pastrojnë” deri në 2 milion euro. A e imagjinoni se sa do të arrijë “perandoria” financiare e grupeve e bandave të njohura e të panjohura shqiptare, me aktivitet brenda e jashtë vendit?! Nuk është çudi që të bëhen aksionare mazhoritare në shumicën e bankave të nivelit të dytë, duke arritur të fusin në dorë një mekanizëm që mund të çojë drejt falimentit edhe shtetin.
Kjo amnisti, është një mnyrë shumë e mirë të pastrojnë paratë e përfituara padrejtësisht nga buxheti i shtetit apo edhe aktivitete të tjera të jashtëligjshme, edhe ata që u ndalohet me ligj si deputetë, ministra, drejtorë, prokurorë, gjyqtarë etj. Nuk është aspak e vështirë të gjesh një “prestanome” (huazues emri) që me një valixhe në dorë mbushur me 2 milion euro, ti deklarojë si të vetat në një bankë. Është një fenomen i njohur, nga Shkodra në Sarandë, kur shumë individë edhe deklarohen thjeshtë “amanetqarë” të pasurive të paluajtshme apo llogarive bankare të VIP- ave.
Amnistia fiskale është mekanizëm i përdorur edhe në shtete të tjera. Sigurisht, para shumë e shumë vitesh. Përfituesi kryesor është “bota e errët” që ka gjeneruar me aktivitet kriminal pasuri të paluajtëshme e miliona euro/ dollarë. Shteti dhe arka e tij, është përfituesi i dytë dhe sidomos në kushtet aktuale, arka e shtetit shqiptar ka nevojë ulëritëse për CASH.
Nuk ka asgjë të keqe të realizohet një amnisti. Por ajo duhet të jetë e kujdesshme, deri në pikën siç thuhet edhe në Bibël, “të hyjë deveja në vrimën e gjilpërës”. Nëse ndodh ndryshe, amnistia fuqizon “botën e errët”, e fut financiarisht brenda ligjit dhe më pas, ajo shumë thjeshtë e lehtë mund të shumfishojë pasurinë, sërish përmes kriminalitetit. Në shumë qytete të vendit, janë mijëra biznese që paguajnë njerëz thjeshtë pët të shkelur kasën fiskale, për të justifikuar miliona lekë xhiro në ditë, burimi i të cilave janë aktiviteti kriminal. Nëse fut 2 milion euro në qarkullim, në çfarëdo biznesi dhe me nivelin ekstrem të korruptimit në këtë vend, ligjërisht mund ti deklarosh të dyfishuara brenda një viti.
Me 2 milion euro nuk është amnisti fiskale por legalizimin e aktiviteteve kriminale të 30 viteve të fundit, stimulim i tyre në organizim dhe ekonominë e vendit. E fundit, nëse realizohet kjo amnisti, fundos vetting- un në të gjitha sferat e shoqërisë, që nga sistemi gjyqësor, policia apo ai i reklamuar, në politikën shqiptare. Amnistia duhet të jetë në favor të shqiptarëve të thjeshtë, atyre që me mund e djersë mund të kenë kursyer pa deklaruar 100- 200 mijë euro, me punën në Shqipëri apo jashtë saj. Me 2 milion euro futesh në valle me “botën e errët”, duke e bërë pjesë të bashkëqeverisjes dhe të pushtetmbajtjes së përjetshme në një vend që po shpopullohet çdo ditë, me emrin Shqipëri! /Nga Blerti DELIJA/