“14 maji” po afrohet gradualisht bashkë me afatet që duhen respektuar për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Ndërsa 6 marsi ishte afati i fundit për regjistrimin e partive politike të interesuara të garojnë për qeverisjen vendore, nesër Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka njoftuar nisjen e procesit të shqyrtimit të aplikimeve të subjekteve politike. Për herë të parë në 32 vite, Partia Demokratike ka depozituar dy kerkesa, me të njëjtën sigël, me të njëjtën adresë, me dy logo e dy kryetarë të ndryshëm.
Alternativat e vendimmarrjes së Celibashit nuk janë të shumta. Të pranojë vetëm njërën nga Partitë Demokratike ose të rrëzojë aaplikimet e të dyjave, duke nxjerrë nga gara partinë kryesore të opozitës. Indirekt, edhe mijëra votues shqiptarë të orientuar me zemër, mendje apo edhe instiktivisht nga kjo sigël, PD.
Në nisje, kjo duket një garë e pabarabartë, të paktën në mes PD- së dhe PS- së, të paktën në Shkodër. PD- ja, ajo e drejtuar nga Berisha por edhe ajo e Bashës, e qeverisin këtë bashki prej 32 vitesh, përfshi edhe “aksidentin” e 1996- ës, pasi Këshilli Bashkiak i mbizotëruar nga demokratët, kishte kompetenca të zgjeruara.
Zgjedhjet e fundit, kur kishte garë, ishin ato të 2015- ës. Konfigurimi i forcave në fushën e lojës, është i njëjtë, gati identik, me atë që po përflitet këto javë e muaj. Ndoshta, me ndonjë ndryshim të vogël, të dukshëm o të padukshëm. Në numër votash, PD- ja dhe kandidati i saj zyrtar Bardh Spahia, e kanë “formalitet” procesin e “14 majit”. Janë mbi 10 mijë vota diferencë mes Voltana Ademit të PD- së dhe Keti Bazhdarit të PS- së, në favor të të parës.
Nga ana tjetër, logoja apo sigla, këtë vit ndryshe nga 2015- a, mungon. Në rastin më të keq, mund të jetë në dëm të njërës nga PD- të, në favor të PS- së dhe aleatëve. Ashtu si në 6 mars 2022, Bardh Spahia me shumë gjasa, do të garojë me një sigël koalicioni, ku do të mungojë logo e PD- së. Madje, teorikisht, do të ketë përballë një logo PD- je, me kandidat tjetër, që mund të ndikojë në rezultat. Sa? Zgjedhjet e 6 marsit, mund të përdoren si argument ose kundër argument, në favor apo disfavor të krahasimit të 2015- ës me 2023- in. Në këtë këndvështrim, gara është e pabarabartë pasi qartas PS- ja dhe aleatët e saj janë të favorizuar në Shkodër.
Si çdo herë, “fjalën e fundit” do ta thonë shkodranët, banorët e Bashkisë Shkodër. Prej javësh, ndoshta muajsh, ata janë spektatorë të një fushate të pashpallur akoma në mes Bardh Spahisë- kandidat zyrtar dhe Benet Becit- kandidat akoma i pazyrtarizuar. Duke parë këtë situatë, ndoshta më shumë se asnjëherë në këto 32 vite, shkodranët janë në dilemën e madhe: Të vazhdojnë në rrugën 32 vjeçare apo të nisin një rrugë tjetër?
Pragmatistë, të vendosur, të irrituar, të lodhur, të zhgënjyer apo konservatorë janë disa nga epitetet që sot mund të jenë qasje ndaj kutisë së votimit për qeverisjen vendore. Garë e pabarabartë por që të gjithë nxitojnë të bëhen pjesë e saj. Fituesi? Duhet pritur verdikti i shkodranëve por sigurisht, edhe trysnia mediatike, e ofertave, e e premtimeve që do të artikulohen! /Nga Sokol N. SOKOLI/