Me 18 janar 2024, buxheti i Bashkisë Malësi e Madhe do të miratohet, pasi u rrëzua me 8 janar në mbledhjen e “parlamentit” të vogël lokal. Ndërsa nga administrata bashkiake Marinaj nuk ka asnjë sinjal, PSD- ja lokale ka njoftuar se buxheti do të miratohet. Kryetari Ardian Hysa, edhe për mediat kombëtare, ka bërë me dije se me PS- në nuk ka “krisje” po pakënaqësi për shpërndarjen e buxhetit sipas njësive administrative që ka bashkia Malësi e Madhe.
Po çfarë ndodhi në 4 ditët e fundit që u arrit “kompromisi”? Praktikisht, asgjë! Me 18 janar do të konfirmohet por është e qartë se dokumenti i projekt- buxhetit nuk do të ndryshojë si shpërndarje nga ai që u rrëzua. Projekt- buxheti është voluminoz dhe i ndërlikuar si metodologji për hartimin e tij. Ai nuk mund të ndryshohet thjesht dhe vetëm matematikisht, me mbledhje, zbritje, shumëzim apo pjesëtim shifrash. Ai duhet ndryshuar konceptualisht, bazuar mbi kriteret e shpërndarjes së fondeve. Ky proces nuk mund të kryhet për 4 ditë.
Po ashtu, ndryshimet që duhet të vijnë nga administrata bashkiake, duhet të kalojnë të paktën formalisht në komisionet e Këshillit Bashkiak të Malësisë së Madhe. Me gjasë, nuk do të kalojnë sepse projekti i rrëzuar me 8 janar, do të paraqitet sërish me 18 janar dhe do të miratohet. Të njëjtët këshilltarë që e votuan kundër, që “e demaskuan” edhe mediatikisht, do ta votojnë me “gëzim” e nxitim projektin e paraqitur nga administrata Marinaj.
Të gjitha polemikat, akuzat, kundërakuzat do të harrohen. Mungesa e investimeve, shpërndarja jo e duhur e investimeve, do të harrohen. Përveç se, nëse e përmend PD- ja zyrtare apo edhe “BF”- ja, të cilat me gjasë ishin jashtë “negociatave” 4 ditore të administratës bashkiake dhe PSD- së. Sigurisht, PS- ja në qendër “i ka tërhequr” veshin administratës Marinaj për këtë vonesë në miratim. Por edhe PSD- ja në qendër, ka kërkuar të ndryshohet qasja e këshilltarëve vendore ndaj administratës bashkiake. Në fund, të gjithë të kënaqur, të gjithë të lumtur e të gjithë që i sherbejnë “popullit”.
Me përjashtim të këtij të fundit, pas 18 janarit nuk do të ketë të humbur. Administrata Marinaj dhe PS- ja do të marrë atë që kërkoi: miratimin e buxhetit. Edhe PSD- ja lokale dhe në qendër, mori atë të dëshironte: tregoi forcën përballë aleatit, të cilit nuk është çudi ti kërkojë edhe karriken në 2027- ën. Ndoshta ka marrë edhe ndonjë “bonus” në nivel lokal, për të kënaqur dëshira apo interesa “të vockla”, si “dëme anësore” të pandjeshme të konfliktit publik.
Me gjasë, edhe opozita publike e PSD- së ndaj administratës bashkiake Marinaj, do të zbutet deri në shuarje. Nuk do të ishte çudi të ketë edhe orientim nga qendra që “misioni vazhdon” të quhet i përmbushur. Nuk do të ishte asgjë e re, thjeshte ri- shkruatje skenari të njohur në kushtet e Malësisë së Madhe. Pas rreth 1 viti, PS dhe PSD do të jenë në fushatë elektorale për Kuvendin. Nuk është e habitshme, edhe si aleatë jozyrtarë.
Synimi është marrja e mandateve në nivel qarku. Me situatën aktuale, dy PD- të bashkë vështirë të marrin më shumë se 3 vende deputetësh. Kështu që, do të “luftohet” për dy mandate më shumë, në mes PS- së dhe PSD- së. Sidomos pas fitores së 14 majit në Bashkinë e Shkodrës. Që të mos e marrin me shumë tifozllëk në të ardhmen, kaq sherben ky dekriptim i radhës i situatës. /Shënim i ShkodraWeb/