Mbrëmjen e kësaj të hëne, në Shkodër u zhvillua një protestë, deri më sot unikale mbase edhe përtej Shqipërisë, kundër ndërtimit të pritshëm të një kulle në Shkodër, 30- 40 katëshe, Hotel Rozafa Tower. Gjithçka duket, në pamje të parë, mori spunto nga rrjetet sociale, pasi u mësua për projektin që u prezantua publikisht nga investitori privat Rozafa Group, në prani edhe të kryeministrit Rama. Nga këtu, qartazi u kuptua se pikë së pari, reagimi do të ishte politik, nga njerëz politikë, sigurisht të krahut të kundërt me kryeministrin e vendit.
Organizatorët zgjodhën edhe një slogan për protestën, miksim mes shqipes dhe anglishtes, duke bërë edhe lojë fjalësh. “Cool”, që shqiptohet “kull” dhe që do të thotë “e freskët”. “Kulla s’asht cool (kull)” lidhej disi edhe me stinën e verës dhe temperaturat mjaft të larta të këtyre ditëve. Thirrjes për pjesëmarrje në protestë por edhe një peticioni virtual kundër ndërtimit të Hotel Rozafa Tower, iu përgjigjën shumë. Pjesa dërrmuese e tyre, u bënë edhe komentues të ndryshëm të opinioneve të kundërta nga të tyret. Paramendohej se mbrëmë, në orën 19.00 në sheshin “Nënë Tereza”, të ishte një pjesëmarrje e gjërë.
Një person i lidhur me zinxhir para Buckingham Palace për një kauzë që ai e konsideronte të rëndësishme, bëri xhiron e botës si lajm. Nuk kujtohet kauza, nëse e fitoi apo jo, por në parametra komunikimi publik, ai person ia arriti qëllimit. Kjo, për të sjellë në vëmendje se jo gjithmonë numrat janë të rëndësishëm. Historia ka treguar se shumicat popullore, kanë sjellë me votë në pushtet regjime që i shkaktuan njerëzimit, dëme katastrofike. Për shembull, Adolf Hitler por edhe të tjerë, para e pas tij.
Megjithatë, pjesëmarrja mbrëmë duhej të jepte një mesazh. Komentuesit e shumtë të kësaj teme në rrjete sociale, sidomos ata kundër ndërtimit të kullës, në fillim, mes, fund apo diku nëpër rreshta, flisnin në emër të Shkodrës, shkodranëve, atyre që nuk janë e të tjerëve që do të vijnë. Në këtë kuptim, pjesëmarrja ishte një tregues i rëndësishëm për ndjeshmërinë që tema mund të kishte ngritur për shkodranët. Edhe vetë organizatorët, janë shprehur të pakënaqur nga pjesëmarrja në këtë manifestim.
Politizimi i protestës, ndoshta ishte arsyeja që dekurajoi qytetarët ti bashkohen. Mbase nuk ishte politizim i parapërgatitur, pasi shumë individë organizatorë, pavarësisht se të pozicionuar politikisht në opozitë, janë profesionistë të fushës ose persona me integritet profesional të treguar. Megjithatë, disa personazhe, të njohur prej shumë e shumë vitesh si të pozicionuar politikisht në një krah, edhe si “skifterë”, mund të kenë frenuar pjesëmarrjen.
Nga ana tjetër, edhe nëse flasim për të mundësi që kjo çeshtje të shfrytëzohej edhe politikisht nga opozita (mëse normale!), edhe kjo vetë nuk arriti të mbledhë në shesh anëtarët, mbështetësit e përkrahësit e saj. Do të ishte e dhimbshme që forca e një organizate politike, të përmblidhej në pjesëmarrjen që u pa sonte në këtë protestë. Munguan emra të rëndësishëm të saj, të cilët në rrjete sociale të paktën, ishin shumë aktivë. Po ashtu, në shesh u panë vetëm dy deputetë nga të opozitës, ndërsa dihet sa është numri i tyre në qarkun e Shkodrës.
Nuk mund të anashkalohet edhe fakti tjetër, që investitori dhe të afërm të tij, në Shkodër dhe përtej saj, njihen si mbështetës e përkrahës të opozitës aktuale në vite. Madje, njëri prej tyre, ka qenë deputet e kandidat për deputet pikërisht i opozitës në Kuvend. Në këtë linjë mbase, mund të lexohet edhe heshtja e deritanishme të paktën, e drejtuesve të lartë të opozitës lidhur me këtë çeshtje. Nuk ka patur asnjë reagim të qartë, pozicionim të qartë, nga nivelet e larta të lidershipit të opozitës.
Edhe interesi mediatik lidhur me çeshtjen por edhe protestën e djeshme, të paktën deri tani, ka qenë shumë i vakët. Madje edhe i mediave opozitare ose pranë saj. Kjo lidhet me faktin, se pjesa dërrmuese e pronarëve të medias, tashmë janë kompani të rëndësishme e të fuqishme ndërtimi apo turizmi dhe këtë protestë, mund ta shikonin edhe si kundër tyre në një të ardhme. Ashtu edhe si lidershipi i lartë i opozitës, edhe mediat e rëndësishme, e kanë konsideruar si një “temë lokale”.
Ardhja nga Tirana e disa figurave, të cilat janë vertetë mediatike por të pozicionuara dukshëm publikisht, politikisht në opozitë, është një tjetër faktor frenues i pjesëmarrjes. Me gjasë, këto figura por edhe të tjera, menduan më shumë për vete, në kuptimin e amplifikimit publiko- politik, teksa janë në prag zgjedhjet e ardhshme politike në vend. Por kjo qasje, nuk ishte e duhura për këtë kauzë që të paktën në rrjetet sociale, një grup njerëzish arritën të ngrinin.
Ndoshta organizimi i protestës, kërkonte më shumë kohë, më shumë ndërgjegjësim përmes rrjeteve sociale dhe mediave, aty ku mund të gjendej hapësirë. Mbase ishte një ngutje, deri diku e kuptueshme në kuptimin e rëndësisë së temës, e cila nuk bëri që gjërat të shkonin siç dëshirohej nga organizatorët. Me gjasë, siç paralajmëruan organizatorët, kjo është vetëm e para e protestave që ndoshta do të organizohen për këtë çeshtje dhe e sotmja, mund të konsiderohet testi i parë apo “prova gjenerale”.
Mbrëmë, u rikonfirmua për të disatën herë, që të nxjerrësh njerëzit në protestë për çeshtje që nuk lidhen direkt me politikën në kuptimin e parë të fjalës, nuk është e lehtë. Madje, nga viti viti në vit, bëhet më e vështirë. Tashmë të garantuara, janë takimet e organizuara nga qeveritarët, edhe ato jo me ndonjë pjesëmarrje të dukshme “masovike”. Ndërsa çdo protestë, në Shqipëri e kudo konsiderohet tregues i shendetit të mirë të një shoqërie, pavarësisht kauzës, dje u konstatua e kundërta për shoqërinë shqiptare. Këtë herë nga Shkodra, e cila konsiderohet dhe është “djep” i shumëçkaje në nivel kombëtar. Natyrisht, nuk duhet anashkaluar edhe një faktor tjetër, shumë i rëndësishëm dhe shumë i afërt në kohë, i lidhur me “14 maj 2023”. /Nga Sokol N. SOKOLI/