Kryeministri Edi Rama “dekretoi” sot nga Ulqini “vdekjen” e nismës së bujshme “Ballkani i Hapur”. Ai foli për futje me kokë në “Procesin e Berlinit” në kuadër të aspiratave të Ballkanit Përendimor e Shqipërisë për integrim në Bashkimin Europian. Me 29 korrik 2023, do të mbusheshin dy vjet nga kristalizimi i kësaj nisme.
Kryeministri por edhe Shqipëria e përfaqësuar nga Edi Rama, u investua shumë në “Ballkanin e Hapur”. Pavarësisht kritikave deri në sulme se kjo nismë shkon në favor të interesave të Rusisë dhe Serbisë në Ballkan, Rama në bashkëpunim me Aleksandër Vuçiç u investuan me të gjitha energjitë tek kjo krijesë.
“Ballkani i Hapur” shihej si një instrument shtesë në kuadër të integrimit të Ballkanit në BE por edhe si një mjet presioni ndaj Europës së Bashkuar për të përshpejtuar integrimin e këtij rajoni.
Si duhet lexuar dekretimi i “vdekjes” së nismës “Ballkani i Hapur” nga kryeministri Edi Rama. “Pika që derdhi gotën” duket se ishte rrëmbimi i tre policëve të Kosovës nga efektivë të ushtrisë serbe. Ndoshta edhe me cilësinë e “bashkëliderit” të “Ballkanit të Hapur”, Rama u investua për lirimin e tyre. Me gjasë, fjalët e Ramës ranë në veshin e shurdhër të Vuçiç, e ky i fundit, duke se u dorëzua pas presionit në nivele më të larta në BE apo SHBA.
Kryeministri shqiptar mesa duket u ndje i pafuqishëm, aq më shumë kur vetë bashkëkryesuesi i “Ballkanit të Hapur”, nuk e vuri ujin në zjarr për të plotësuar kërkesat publike të Ramës. Shefi i qeverisë shqiptare duhej të jepte një mesazh publik, aq më tepër kur në mes ishte Kosova, e cila asnjëherë nuk dëshiroi të jetë pjesë e “Ballkanit të Hapur”.
Është e kotë të flitet për miliona të çuara dëm në kuadër të ndjekes së “ëndrrës” së “Ballkanit të Hapur”. Ato miliona janë të njëtin vend si edhe të tjerat për nisma të ngjashme, të dështuara apo kurrë përfunduara ku Shqipëria u bë pjesë. Por sigurisht, kryeministri Rama u detyrohet një ndjesë publike të gjithë kritikëve të kësaj nisme, të cilët ishin më largpamës ose me më fat se ai në parashikimet për “Ballkanin e Hapur”.
Nga ana tjetër, kryeministri shqiptar duhet të angazhohet publikisht që, para futjes në nisma eksperimentale si ajo e “Ballkanit të Hapur”, të konsultohet me faktorë ndërkombëtarë por edhe vendas. Mbase ky është mësimi më i vlefshëm i dështimit të sotëm të “Ballkanit të Hapur”. Edhe pse në fakt, duhet edhe opinioni i bashkësponsorizuesit tjetër, Aleksandër Vuçiç. /Nga Blerti DELIJA/