Po supozojmë se kryeministri dhe ministria nuk po na gënjejnë kësaj here dhe duke nisur nga janari, Shqipërisë do të nisin t’i vijnë vaksina të Pfizer-it deri sa të bëhen 500 mijë doza.
Për ndjekësit e interesuar të faqes, një përshkrim i shkurtër i logjistikës dhe nevojave. Vaksinat do të vijnë në kuti me përmasat e një valixheje (si arritën në Beograd para dy javësh). Kutitë janë prodhuar nga vetë Pfizer dhe mbajnë 1,000 deri 5,000 vaksina. Një kuti e tillë e ruan vaksinën për 10 ditë. Kutia ka termometër të brendshëm dhe kur temperatura “ngrohet” në më shumë se -70⁰C, ka nevojë të rimbushet me akull të thatë.
Pasi kutia arrin në destinacion, vaksinat mund të ruhen në temperaturë -2⁰C deri -8⁰C për 5 ditë. Gjatë kësaj kohe ato duhen administruar. Pra, aty ku hapet kutia, duhet garantuar prezenca e të paktën 1,000 personave të gatshëm për t’u vaksinuar, personelit të trajnuar, etj.
Kuptohet se në një vend rrumpallë të drejtuar nga një ministri e paaftë, në këtë zinxhir logjistik gjithçka mund të shkojë keq dhe vaksina të humbasë efektivitetin.
Në çdo hap Pfizer monitoron vendndodhjen dhe temperaturën. Çdo komprometim i cilësisë, rrezikon një ultimatum për të mos e përdorur vaksinën (Pfizer nuk rrezikon që shqiptarët të marrin vaksina të deaktivizuara që më vonë mund të cënojnë reputacionin e firmës).
Në vend që të mburret me kontratën dhe të shajë BE-në, kryeministri bën mirë të kërkojë ndihmë logjistike dhe financiare nga institucionet europiane.
Nëse është e vërtetë se dozat e para vijnë në janar, ora ka filluar të punojë dhe nuk ka asnjë minutë për të humbur… Përndryshe rrezikon një dështim spektakolar të pashoq… /Nga Erion DASHO, ekspert i shendetit publik/