“Ajo që po ndodhë darkave në Gjuhadol të Shkodrës asht humbje e sensit të masës. Trendi “urban” i marrjes së modës me vonesë dhe çuemja e saj në ekstrem, veçse thellon provincializmin. Duhet ndalë kthimi i qytetit në mejhane…”.
Këto pak rreshta të publikuar nga shkrimtari Stefan Çapaliku në rrjetet sociale, rikthyen në vëmendje një temë që ka të paktën 1 vit që ngjall ndjeshmëri publike. Një ditë të verës së kaluar, në hyrje të rrugicës ku ishte dikur shtëpia e Gurakuqit ose ku ndodhet akoma fatmirësisht shtëpia e Kardinal Koliqit, u shfaq një tabelë qarkullimi që devijonte trafikun e rrugës së Gjuhadolit drejt kësaj rruge të ngushtë.
Me hapësirat mediatike në dispozicion, reagova, duke u bërë edhe “zëdhënës” i shqetësimit të mjaft banorëve të kësaj rruge të veçantë të Shkodrës. Më dukej paradoks, vazhdoj ta konsideroj kështu edhe sot.
LEXONI EDHE: FOTOLAJM – Bllokohet qarkullimi i makinave në rrugën e Gjuhadolit, rruga do të jetë ekskluzivitet i lokaleve të zonës
Pak ditë pas vendosjes së tabelës, u shfaq një pengesë që vendosej darkave në hyrje të rrugës së Gjuhadolit, kur futesh nga krahu i Katedrales. Me mundësitë e mia, shqetësimin e ngrita deri tek drejtuesit më të lartë të bashkisë së asaj kohe por edhe tek drejtuesit aktualë që nisën punën pas 19 qershorit 2023.
Rruga e Gjuhadolit, është një nga më të veçantat në Shqipëri, pavarësisht se në disa pjesë, me apo pa qëllim po lihet të degradohet, kryesisht nga harresa, moskokëçarja apo “llogaritë” e pronarëve. Natyrshëm, duhet të jetë dhe është rruga me densitetin më të lartë të bizneseve që ofrojnë sherbime gjatë gjithë vitit, sidomos në sezonin turistik veror. Kryesisht, bare dhe restorante në të gjithë gjatësinë e saj.
Nga ana tjetër, nuk duhet anashkaluar se jetojnë edhe qindra familje, të cilat kanë të gjithë të drejtën të kenë një jetë normale, pa ndodtje akustike dhe pa pengesa për të aksesuar banesat e pronat e tyre. Mes të dyjave, duhet gjetur një ekulibër, detyrë që e ka qeverisja vendore, në këtë rast, Bashkia e Shkodrës.
Përgjatë kësaj rruge, kalojnë edhe persona që thjeshtë duan të shijojnë arkitekturën, të shkojnë nga njëra anë në tjetrën e rrugës. Në kushtet që po shfrytëzohet kjo rrugë këto dy vitet e fundit, është thuajse një sipërmarrje e pamundur. Në rastin më të keq, mund të lejohet vendosja e tavolinave dhe karrigeve në trotuaret para lokaleve por është absurde që të “pushtohet” edhe rruga.
Po ashtu, duhet menduar seriozisht edhe për ndotjen akustike. Muzika në kupë të qiellit, është e padurueshme edhe për mjaft ata që zgjedhin të pijnë një birrë përgjatë saj, pa folur për ata që jetojnë në këtë rrugë. Shqetësimi i shkrimtarit Stefan Çapaliku mendojmë se duhet të nxisë një debat publik, ndoshta edhe një tryezë mes përfaqësuesve të bashkisë, banorëve të zonës dhe pronarëve të lokaleve.
Shkodra është e të gjithëve, të gjithë kanë të drejta të barabarta dhe duhet ti gëzojnë ato pa u cënuar ose cënuar askënd. Rruga e Gjuhadolit nuk duhet të kthehet në “minierë ari” për dikë (madje edhe qeramarrës sezonalë) dhe një makth për ata që kanë lindur e jetojnë me breza të të në këtë aks të veçantë të Shkodrës. /Nga Blerti DELIJA/