Nga Armand BROSHKA
Zonja ministre e financave si duket nuk e di se në Republikën e Shqipërisë përveç Liceut Artisitik “Jordan Misja”, shkollës së baletit dhe shkollës 9-të vjeçare “Servete Maçi” në Tiranë, ekzistojnë edhe 8-të shkolla të tjera të mesme artistike si, Shkodër, Durrës, Elbasan, Berat, Fier, Vlorë, Korçë dhe Gjirokastër.
Të gjitha këto shkolla përgatisin nga klasa e 1-rë deri tek e 12-ta artistë (instrumentistë, piktorë, skulptorë, balerinë) të rinj, të cilët pasi mbyllin ciklin e tyre në këto shkolla, pranohen edhe nëpër konservatore, akademi dhe universitete artesh kudo nëpër evropë e botë, madje diplomohen atje me rezultate të larta (Përfshirë këtu edhe Universitetin tonë të Arteve).
Edhe pse studiojnë në të njejtin profil minimalisht për rreth 16 vjet (madje më shumë edhe se vetë mjekët), vetëm pas këtyre viteve nis rrugëtimi i tyre në këtë profesion.
Artistët e diplomuar janë individët më të denjë për një shoqëri të civilizuar, sepse i dhurojnë kombit të tyre art të mirëfilltë, zhvillim, studim, dinjitet, histori dhe emër të mirë kudo ku ato përshfaqin aftësitë, intelektin dhe qytetarinë e tyre. Këta artistë janë shtresa më lartë dhe e edukuar e një shoqërie, por e lënë në hije sepse prozhektorët drejtohen tek Noizy.
Kriza ku ndodhemi ne si komb flet vetë, mjafton të shohim se si ministrja e financave mburret e i thotë “Kompozitor” një individi pa shkollë dhe pa diplomimin përkatës, gjithashtu që njihet për rrugaçërinë e tij, kryesisht në tekstet banale që reciton (se muzikën ja kompozon tjeter kush), me përmbajtje dhune, imoraliteti e degradimi social, ku promovon lacat e rrugës, pushtetin e parasë dhe armëve.
Të gjithë e kemi parë se si ky individ promovon dhunën tek të rinjtë duke nxjerrë me mburrje video ku qellohen me armë mes bandash rivale rrugëve të Kosovës dhe Shqipërisë, madje duke ja hedhur paq edhe ligjeve të shtetit.
Ky është modeli që promovon ky “Kompozitor” tek të rinjtë sot zonja ministre!
Sa për kujtesë znj.ministre, ky ishte ai modeli i të rinjve që dogjën Tiranën në dhjetor, e mbani mend?! Madje kolegët tuaj i quanin huliganë e rrugaçë.
Edhe sikur ky individ të ishte biznesmeni më i fuqishëm në rajon, nuk i takon një ministreje të bëjë të tillë “PR” plot mburrje, se gjoja na qenka puna e saj që ky biznesmen paska patur sukses.
Të gjithë ne e njohim shprehjen e famshme të Sorosit:
“Mos më pyesni se si e bëra milionshin e parë, ndërsa për të tjerat ua faktoj unë një më një”.
E pra, ne të gjithë e dimë se me para të ndershme nuk bën dot asnjë i ri 8 certifikata biznesesh, madje as ju vetë me rrogën e ministres së financave.
Së fundmi, meqë hyre në profesionin tonë, po guxoj dhe unë të futem në tëndin zonja ministre, dhe po të jap një këshillë:
Përpara se t’i promovosh këta biznesmenë “Kompozitorë”, fillimisht hetoi burimin e pasurisë para milionëshit të parë dhe evazionit fiskal që bëjnë çdo ditë. Gjithashtu, po ju kujtoj se ministria juaj ka dhënë zero (0) fonde për politika zhvilluese, mbështetëse apo novatore për këto shkolla artistike në rrethe. Nëse do i njihnit, do ta shihnit se këto shkolla në fakt ndodhen në gjendje të mjerueshme si godina dhe infrastrukturë, pa drita, pa ngrohje, pa xhama e me tualete si në mesjetë. Kjo është gjendja e “kompozitorëve” nëpër këto shkolla, pak ndryshe nga ajo e “kompozitorëve” që ju promovoni.
P.S. Sa për balancë politike, po ju them se nuk e kam harruar as faktin e dekoratave qesharake presidenciale të këtyre 10 viteve, si rasti i një tjetër “Këngëtari” që u dekorua me titullin “Mjeshtër i madh” nga presidenti para pak ditësh, ku dihet që artistë të vërtetë (jo-partiakë) nga ata të 16 viteve që i përmenda më lart, i kanë dhënë e i japin vendit tonë një kontribut të paçmuar pa asnjë titull mbi shpatullat e tyre, por vetëm me punë serioze dhe dinjitet. Uroj të reagojnë të gjithë artistët njëzëri! Mjaft më me këto tallje e promovime të antivlerave! MJAFT!🖐