Me 11 janar 2020, kryesia por edhe anëtarësia e Shoqatës “2 Prill 1991”, zgjodhën kryetar të tyre Harris Muranën. Ai ishte pjesëmarrës i kësaj ngjarje tragjike ku u vranë 4 djem të Shkodrës dhe u plagosën rreth 100 të tjerë, mes të cilëve edhe vetë Harris Murana. Vetëm Zoti ia dha jetën, bashkë me përkujdesjen e stafit të Spitalit të Shkodrës.
Harris Murana ka dy medalje presidenciale, “Medaljen e Trimërisë” nga presidenti Sali Berisha në atë kohë dhe medaljen “Shqiponja e Artë” nga presidenti i ndjerë Bujar Nishani. Pra, Murana ka dy njohje zyrtare nga shteti shqiptarë me medalje, që të dy nga presidentë të zgjedhur nga radhët e PD- së, në kohën kur ishte e bashkuar.
Shpesh herë, Harris Murana ka treguar se “nuk mund të vihet në rresht” dhe as nuk mund të mbyllë gojën për të dhënë opinion. Madje, nuk ka ngurruar të rreshtohet edhe përballë të ashtëquajturave shumica brenda krizës disa vjeçare që po kalon PD- ja.
Vështirë që dikush ti vendosë etiketën “komunist” apo “i majtë” Harris Muranës. Jo vetëm për shkak të pjesëmarrjes aktive me 2 prill 1991 por edhe të trashëgimisë familjare, e cila mesa duket e bëri të vrasë frikën atë ditë e ato kohë të vështira, kur ishta akoma në kapërcyell mes adoleshencës dhe rinisë së hershme.
Por sigurisht, Harris Murana e ka të vështirë “të mbyllë gojën” apo të rreshtohet “me të tjerët” për hir të “disiplinës” së pakuptueshme partiake- politike. Sepse e kishte të vështirë këtë në vitin e largët 1990, kur përballë ai dhe shumë të rinj të tjerë kishin përballë një makineri gjakatare, e cila edhe vrau e plagosi, mes të cilëve edhe vetë Harrisin. E sot, kur po mbushen 33 vite nga 2 prilli i parë, Harris Murana detyrohet të japë dorëheqjen.
Fatmirësisht, sot jetojmë në një sistem pluralist, kur edhe pse je kundër qeverisë së radhës, jep mendimin tënd, proteston në shesh, nuk të vrasin, nuk të plagosin, nuk të burgosin aq lehtë. Harris Muranën sot, sidomos në rrjetet sociale, e gjykojnë për “fjalën e lirë”, ngjashëm frikshëm me Nenin 55 “Agjitacion e propagandë” të para 1990- ës. Sot Harrisin e gjykojnë kur vlerëson publikisht diçka të mirë, pozitive që bëhet nga qeverisja vendore apo qendrore, qoftë edhe e një ngjyre tjetër. Sot Harris Muranën e paragjykojnë sepse “2 Prill 1991” duan ta privatizojnë, nga ditë përkujtimore në nderim të 4 martirëve nga e gjithë Shkodra (siç është e natyrshme), në ditë shplaosje të flamujve njëngjyrësh, duke rikthyer reminishencat e diktaturës komuniste.
Ndërsa sot Harris Murana u detyrua të ndahej nga një pjesë e rëndësishme e jetës dhe kujtimeve të tij të 33 viteve më parë, kryetari i Bashkisë Shkodër paralajmërohet të mos vendosë lule apo kurora tek Memoriali i Dëshmorëve të “2 Prill 1991”. Jemi në vitin 2024 dhe kishim menduar, Harrisi dhe shumë të tjerë si ai, mbase mijëra apo miliona, se qasje të tilla i përkisnin të kaluarës komuniste. Por mesa duket, reminishencat vazhdojnë të jenë të forta, edhe tek moshat e reja. E gjithë kjo. në kuadër të përrrallës së lodhur të “luftës kundër komunizmit”. E sigurtë që nuk i sjellin asnjë përfitim, as autorëve zyrtarë e as nxitësve të tyre. /Nga Sokol N. SOKOLI/