Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë KOKO Fest, uli siparin e edicionit të tij të 11- të. Tashmë traditë, ky edicion është zhvilluar nën lajtmotivin “topi është i imi, penalltinë e gjuaj unë”, duke perifrazuar një film të real- socit të dikurshëm. Në mbyllje të konkurrimit të trupave pjesëmarrëse, mes të cilave edhe Teatri “Migjeni” me “Krimi është vetëm i imi” me regji të Driada Dervishi, janë ndarë edhe çmimet përkatëse.
Regjisori Leka Bungo, është nderuar me çmimin e karrierës për monodramën “Testamenti” të interpretuar nga i madhi Viktor Zhusti. Një vlerësim ky i merituar për dy emra të rëndësishëm të skenës dhe ekranit shqiptar. Ndër 8 çmimet e tjera, katër janë marrë nga “zona operative artistike” e Korçës, në ngjashmëri me “zona e parë operative” gjatë L2B. Konkretisht:
-Artistja e re më e mirë Ilda Pepi- Korçë
-Aktorja jo protagoniste më e mirë Paola Kodra- Korçë
-Aktorja më e mirë protagoniste Zamira Kita- Korçë
-Shfaqja më e mirë “Karnavalet e Korçës”- Erion Isai – Ersekë/Kolonjë/Korçë
Të gjitha çmimet e tjera, me përjashtim të njërit, janë marrë nga shqiptarë të Kosovës dhe konkretisht:
-Artisti i ri më i mirë Urim Aliaj- Tropojë
-Aktori jo protagonist më i mirë Ard Islami- Kosove, Gjilan
-Aktori protagonist më i mirë Armand Morina- Kosovë, Gjakovë
-Regjia me e mirë Fatos Berisha- Kosovë, Pejë
Në Shkodër kemi një shprehje të famshme, “më ra vedja e më këputi shpirtin”, për ta përkthyer për “zonën e parë operative”, askënd nuk ke me afër se veten. Nën këtë frymë, edhe organizatorët e KOKO Fest në Korçë, kanë menduar ti mbajnë çmimet afër. Sigurisht, duke parë edhe kastin e aktorëve, eksperiencën e tyre por edhe profesionalizmin e treguar në vite, mund të pohonim me egoizëm artistik lokal, se trupa e “Migjenit” e meritonte një çmim. Por jo, keqardhja jonë e vetme është që një çmim i vetëm, çfarëdo, edhe inkurajues, të dilte përtej “zonës operative artistike” të Korçës. Përveç se, nëse është edicioni i fundit i KOKO Fest, atëherë janë të justifikuar të gjithë.
Trupa e “Migjenit” por me emra të mirënjohur si Olta Daku, Neritan Liçaj, Linda Jarani, Besnik Çinari, Jozef Shiroka, Rudina Dembacaj, Merita Smaja, Fritz Fistani, Nikolin Ferketa dhe Pjerin Vlashi, sigurisht dha një shfaqje që u mirëprit nga spektatori nën regjinë e Driada Dervishi. Madje, Shkodra i ofroi KoKo Fest këtë shfaqje në premierë, pa u vënë akoma në skenën e “Migjenit”. Por sigurisht, vlerat e saj do të ketë mundësi ti shijojë publiku më i kualifikuar artistikisht, ai shkodran së shpejti…
Nuk po ndalemi, për mungesë ekspertize të thelluar profesionale, tek vlerësimi artistik i shfaqjeve apo përformancës së aktorëve. Por, edhe nëse në Shkodër do të zhvillohej “Festivali i Humorit” apo “Festivali i Barcaletave”, nuk do të ishte mirë që të gjitha çmimet të mbeteshin në këtë “yonë operative artistike” dhe me shumë mundësi, nuk do të mbeteshin. E pra, po flasim për kryeqytetin e pakontestuar asnjëherë, as në komunizëm, të kryeqytetit të humorit të shqiptarisë. Si nga profesionistët, ashtu edhe vetë qytetarët. Korçarët sidomos, e dinë më mirë se çdokudh tjetër në Shqipëri… /Shënim i ShkodraWeb/