Vdekja në fushën e blertë të Rrogozhinës e futbollistit ganez Raphael Dwamena, ka marrë jehonë në shtypin sportiv jo vetëm shqiptar por edhe atij europian e më gjërë. Është një ngjarje shumë e rëndë, e cila ndodh për herë të parë në kampionetet shqiptare të futbollit. Duke nisur nga ekipi që e federoi këtë sezon, Egnatia, po harrohen arsyet që i sollën vdekjen 28- vjeçarit, duke e prezantuar edhe si “hero”. Cinizëm i shkallës superiore, ndërsa mund të flitet deri edhe për vrasje të tij.
Në historinë e futbollit, rastet kur sportistët e sidomos futbollistët kanë lënë pasionin e tyre në emër të shendetit dhe vijimësisë së jetës, janë me dhjetra, ndoshta edhe qindra. Shumë futbollistë, madje edhe yje, “kanë varur këpucët në gozhdë” dhe janë detyruar të ndërmarrin një karrierë tjetër. Jeta është e shenjtë dhe nuk duhet të rrezikohet kur është mundësia që rreziku të evitohet. Ndër rastet më të njohura edhe në Shqipëri, është ai i kapitetit të Kombëtares Lorik Cana, i cili la futbollin në një moment kur kishte shumë për të dhënë.
Duke u kthyer tek rasti fatkeq i Raphael Dwamena, vdekja e tij ishte e paralajmëruar, thjesht dhe vetëm çeshtje kohe. Në më shumë se një rast, Dwamena ka qenë viktimë e problematikave kardiake, deri në atë pikë sa i ishte e nevojshme vendosja e një impianti defibrilimi, i cili e kishte shpëtuar në të paktën 4 raste. Përpara të sotmit, episodi më i rëndë kishte ndodhur në vitin 2021, kur luante për austriakët e Blau-Weiss Linz. Para ndeshjes së Kupës së Austrisë kundër Hatberg, Dwamena ishte ndjerë keq dhe pikërisht defibrilatori e kishte shpëtuar.
Që në atë kohë, mjekët i këshilluan sulmuesit të ndërpriste karrierën futbollistike por kushte e tij të qendrueshme e kishin shtyrë të vazhdonte. Në sezonin 2021- 2022 luajti në Zvicër me Young Boys dhe këtë verë, me Egnatian në Shqipëri. Me kalimin e viteve, siç eshtë e natyrshme, fiziku i tij do të ndjente më shum peshën e problemeve shendetësore, për “ta tradhëtuar” përfundimisht dhe fatalisht sot, në një qytet shumë pak të njohur të Shqipërisë, pasi kishte luajtur në disa më të njohura në Europë.
Kush më shumë e kush më pak, sot janë të shumtë fajtorët për vdekjen e 28 vjeçarit. Justifikime të tipit “luante për të mbajtur familjen” apo “e dashuronte futbollin”, janë vertetë makabre. A do të kishte mundësi të ndihmonte familjen e tij më shumë nga jashtë fushës së blertë apo nga aty, ku fatkeqësisht iku sot?! Detyra e mjekëve është të konstatojnë problematikat shendetësore të futbollistit. Në rastin e Dwamena, ka qenë shumë e lehtë, nisur nga episodet e kaluara. Mjekut duhej të njoftonte drejtuesit e ekipit, të cilët kishin së paku detyrimin njerëzor, të mos e federonin futbollistin.
Por sigurisht, shfrytëzimi i talentit dhe famës së sportistit, prevaluan mbi rrezikun e humbjes së jetës së një njeriu, një sportisti, një futbollisti. Me pak fjalë, kështu ka ndodhur, nuk ka aspak nevojë që policia, prokuroria apo mjekësia ligjore, të investigojnë më shumë. Të paktën, për të ardhmen, ky rast tragjik të sherbejë që në fushat e blerta të Shqipërisë, të mos ketë viktima, të cilët dikush paradoksalisht, i etiketon edhe si “heronj”. /Nga Blerti DELIJA/