Një nga policët e shumtë që padyshim ishin rrotull shkollës që po vizitonte kryeministri, duhej të nxirrnin bllokun e gjobave dhe ti faturonin plot 3 mijë lekë gazetares Edona Haklaj për mosmbajtje maske. Sepse kështu thotë akti normativ me fuqinë e ligjit që ka miratuar qeveria për parandalimin e përhapjes së pandemisë. E çeshtja do të mbyllej këtu e kryeministri “do të shpëtonte” nga mundësia për show-n e radhës.
Edhe vetë gazetarja Haklaj e pranon se është kapur në gabim nga kryeministri. Edhe pse në fakt, mundësia që Edona të sherbente si burim infeksioni, praktikisht ishte zero. Që të gjithë ishin me maska dhe nuk mund të infektonin dot Edonën pa maskë. As Edona pa maskë, nuk mund të infektonte askënd sepse teorikisht, nuk është bartëse e virusit. Ndryshe, do të ishte në shtëpi ose spital e izoluar.
Gjithandej sot gazetares Haklaj, po i bëhej “gjyqi”. Shumica ishin në krah të saj, duke nisur nga kolegët. Kishte edhe nga ata, që duke e konsideruar gazetarin person publik e shembull, e kritikonin, gati- gati deri në linçim. Pyetje që lind spontane: A është shembull e person publik kryeministri? A është person publik e shembull kryeministri, ministrat, deputetët, zëvendësministrat?! Vetëm futuni në rrjete sociale dhe shikoni sa i respektojnë masat e pandemisë ata që sot e shtynë dhe iu hakërruan Edonës përballë dhe përmes komunikimit virtual.
LEXONI EDHE: OPINION – Një individ ka të drejtë të largojë dikë nga i cili ndjehet i rrezikuar…
Zakonisht, kameramanët dhe gazetarët e terrenit, me përjashtim të ndonjë stand- up, përgjithësisht nuk dalin në media. Por sot, për qëllime tashmë të njohura, e hodhi si “mish për top” para kolegëve kryeministri i këtij vendi. Jam i sigurtë se asnjë nga kolegët nuk do ta publikonte shtyrjen fizike të kryeministrit për Edonën. Por bosët e mediave, shumica e tyre janë “ushtarë” të kryeministrit.
Po shembulli që jep kryeministri, një ditë pas incidentit të dhunshëm në selinë e FRD- së në Tiranë? Edi Ramës nuk i mjafton më fjala, batuta. Edhe kur është përballë një pushteti tjetër, teorikisht të pavarur, siç është media. Nuk mjaftohet me fjalën “largohu”, por e shoqëron me veprim, duke e shtyrë, duke i ndrëprerë aktivitetin një gazetareje. Edona mund të ishte “e papërgjegjshme”, mund të kishte “mision” madje edhe “infektimin” e kryeministrit. Por ajo nuk mund t’ia arrinte kurrë. Jo vetëm për shkak të maskës së mbante Rama, por edhe sepse tanimë ai është i vaksinuar.
Për të disatën herë, mesazhi përsëritet i qartë: Pas ekzekutivit, legjislativit, gjyqësorit edhe media është nën pushtet- sulmin e Edi Ramës. Tashmë jo vetëm me fjalë e batuta pa kripë, por edhe me shtyrje, kontakt fizik e po të jetë nevoja, edhe më shumë se kaq. Sepse për atë që nuk e di, kryeministri i një vendi jep mesazhe. Dhe për shumë njerëz njëherësh madje! /Shënim i ShkodraWeb Media/