Katër vjet më parë, simpatia ime personale në garën për president të SHBA- së, ishte drejtuar nga Hillary Clinton. Për shumë arsye, por kryesoret si bashkëshorte e ish- presidentit Bill Clinton por edhe si krahu i djathtë i ish- presidentit Obama. Historia tashmë është e shkruar dhe katër vite më parë, Donald Trump u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara.
Sot, kur e gjithë bota është përfshirë në vorbullën e pandemisë Covid- 19, Shtetet e Bashkuara me 3 nëntor, janë të thirrura të votojnë sërish për presidentin, në përfundim të mandatit 4 vjeçar. Siç është e kuptueshme, presidenti në detyrë rikonfirmohet nga republikanët, ndërsa përballë do të ketë një ish- zëvendëspresident si Joe Biden.
“Tifozllëku” i parë në një garë të tillë, sidomos nga jashtë Shteteve të Bashkuara e sidomos për ne shqiptarët, lidhet me përkatësinë politike i majtë, i djathë. Në rastin e SHBA-së, i djathë dhe më i djathtë sepse teorikisht, e majta si vokacion politik në dy partitë e mëdka e kryesore, nuk ekziston në mënyrë eksplicite.
Kështu, republikanët janë më të djathtë se demokratët, edhe pse ngjyrat me të cilat jemi mësuar ti identififikojmë janë të alternuara: E kuqja është ngjyra e republikanëve dhe blu e demokratëve.
Që kur kanë ekzistuar, zgjedhjet në SHBA kanë rëndësi të padiskutueshme në nivel global. Teorikisht, ai që dot ë udhëheqë Shtetet e Bashkuara për katër vite, do të jetë në disa kuptime edhe “udhëheqësi” politik i njerëzimit për po aq kohë. Kështu, gradualisht, nga “tifozllëku” politik kalohet në çeshtje që direkt apo indirekt, kanë ndikim në të gjitha vendet, mes të cilave edhe Shqipëria.
Situata e pandemisë ka vënë “në rresht” thuajse të gjitha shtetet e botës. Realisht, po komandon apo udhëheq shtetet nga fillimi i këtij viti, OBSH- Organizata Botërore e Shendetësisë, e cila është kthyer si në qeveri globale që dikton politikat sociale, indirekt edhe ato ekonomike të shteteve. Qartazi, presidenti Trump ka një qasje dyshuese ndaj politikave të imponuara nga OBSH për shtetet e botës. Natyrisht, çdokush e ka një opinion, qoftë edhe për ndërprerje e financimeve të SHBA-së për OBSH-në, është pozitive apo është negative. Këtë mbase në vitet në vijim, do ta tregojë historia. Por sot roli i Presidentit Trump që, jo të gjitha shtetet e kombet të merren përpara dhe të futen në vathë si delet, është shumë i rëndësishëm. Pavarësisht se edhe Shtetet e Bashkuara ndoqën thuajse të njëtën linjë si shumica e vendeve të tjera për trajtimin e pandemisë, qasja e presidentit Trump ndaj Covid-19 dhe OBSH-së, ka krijuar një lloj “oponence” të domosdoshme për të sotmen e sidomos të nesërmen e njerëzimit. Shembulli kokëfortë i Suedisë, “deles së zezë” në administrimin e pandemisë, tregon se ndoshta precipitimi në panik social- ekonomik, mund të ishte më gradual dhe pa shumë pasoja të rënda ekonomike për shumë shtete, mes të cilave Shqipëria.
Në krye të herës, jo vetëm nga “konspiracionistët”, pandemia Covid-19 u pa edhe si mjet i rradhës në përballjen SHBA- Kinë edhe për rrjetin 5G, si komponent i rëndësishëm në supremacinë ekonomike e politike të viteve në vijim. Pozicioni i SHBA-së, i vetë presidentit Trump por edhe i vendeve më të zhvilluara të globit, lidhur me heqjen e “ekskluzivitetit” të paktën fillestar të implenetimit të teknologjisë 5G nga një kompani kineze, vërteton se shefi i Shtëpisë së Bardhë ka patur një ndikim të rëndësishëm në vendimmarrje. Ekulibrat dhjetravjeçarë politikë, ekonomikë dhe social, nuk mund të përmbysen brenda pak muajve apo viteve, qoftë edhe në emër të një pandemie si Covid-19.
Shqipëria, është një nga vendet që si një luledielli, të paktën në fasadë, është drejtuar gjithmonë me fytyrë nga SHBA- të. Pavarësisht se një vend evropian dhe me aspirata për përbashkim me familjen e Bashkimit Europian, qasja pro- amerikane e Shqipërisë ka qenë e spikatur dhe e dukshme. Nëse pesha e faktorit shqiptar në ballkan e më tej, pas vitit 1999 e në vijimësi është rritur, merita është e padiskutueshme e Shteteve të Bashkuara. Nëse sot Shqipëria, edhe pse me hapa të vegjël e duke u ndalur për “të pushuar” rrugës, po çapitet në rrugën e gjatë të ndërtimit të shtetit të së drejtës, merita e padiskutueshme është e Shteteve të Bashkuara, sigurisht në koordinim me BE- në.
Po të flasësh me shqiptarë që jetojnë e punojnë në SHBA, qasja e parë në garën Trump- Biden, padyshim është ajo politike. Përgjithësisht, ata që kanë qenë në vite të djathtë “stoikë”, mbështesin pa rezerva Presidentin Trump për një mandat të dytë. Pjesa tjetër, mbështesin me zë apo me heshtje kandidati demokrat Biden. Të flasësh në parametra ekonomikë të këtyre katër viteve të presidencës Trump, thuajse unanimisht, janë të kënaqur të gjitha palët (të paktën ata me të cilët kam kontakt apo që shprehen publikisht edhe në rrjetet sociale).
Pa u thelluar më shumë në fakte apo analiza, pa u ndikuar nga thirrjet kundër Trump apo etiketimet e ndryshme që i bëhen nga amerikanë ose jo, katër vjet pas ardhjes në pushtet, në kushtet aktuale të globit, Presidenti Trump shihet si garanci që bota të mos drejtohet nga një dorë e vetme, e dukshme apo e padukshme. Është një garanci që statusquo- ja e krijuar dhe e provuar si e suksesshme në shoqërinë njerëzore të paktën që pas Luftës së Dytë Botërore, të ruhet dhe të mos zëvendësohet nga faza eksperimentale, prej të cilave më shumë se askush, kemi vuajtur ne shqiptarët.
Natyrisht, nuk marr përsipër që përmes këtyre rreshtave të jap verdikte, aq më pak të orientoj pëlqimet apo mospëlqimet për Presidentin Trump. Është një opinion që përpiqet të jetë analitik mbi fakte të njohura dhe jo të jetuara nga brenda SHBA- së. Nëse do të kisha një votë, ndryshe nga katër vjet më parë, sot do ta jepja në favor të Presidentit Trump. Ndërkohë, për fatet e demokracisë në SHBA, nuk ka arsye të shqetësohet askush. Shtetet e Bashkuara kanë krijuar prej shekujsh institucione, parime dhe mekanizma për të garantuar funksionimin si “sahat zviceran” të çdo gjëje. /Nga Blerti DELIJA/