Sot Profja do të festonte 89- vjetorin e lindjes. Ndoshta disa fatlumë, do të kishin mundësinë ta uronin tek tavolina e tij tek “Venezia”. Mbase sot, miqtë e tij të afërt të përditehmërisë jo të lehtë që kaloi mbi Tokë, do të mblidhen për ta kujtuar. Me karrigen e tij bosh, tashmë prej vitesh…
Mendimi i parë sot, është për Karolinën e tij. E “tradhëtoi” duke e lënë pas, pasi për shumë dekada ishte gjithçkaja e saj. Astrit Fani, e risjepl sot mrekullisht në kujtesë përmes pak rreshtave që unë po i shkruaj:
“Erdha shpirt…! E pinte cigaren mes dy dyerve tona. I qetë, ulur kacuk, flokë prishur, sy ndritur e fjalë prerë. Dera e tij ishte gjithnjë pak sa e hapur. E vetmja arësye ishte që të dëgjonte zërin e bashkëshortes së pamundur fizikish. Sa herë e thërriste, ai kishte një përgjegje: Erdha shpirt!”, shkruan Astrit Fani.
Një antikonformist si ai, Profja kishte “botën e tij”, të ndërtuar mbi parime që akoma nuk i kam hasur edhe pse kam kaluar gjysëm shekulli mbi Tokë. Fjala “dinjitet” mund të zëvendësohet shumë kuptueshëm në fjalor me SkenderDrini. Ata që e kanë njohur, mund ti vertetojnë çfarë shkruaj.
Para disa ditëve, me mikun shumë të afërt të Profes, fatmirëaisht edhe mik i imi, Zija Vukaj, po e sillnim në kujtesë. Habia apo çudia më e madhe e jona, besoj edhe e shumë të tjerëve, mbetet edhe sot mungesa e vlerësimit publik për Profen. Jo se do të ndryshonte gjë, ndoshta edhe do ti refuzonte por sidomos Shkodra ia kishte, ia ka dhe to t’ia ketë borxh një titull Skender Drinit. Edhe institucione të tjera si Presidenca, Kuvendi apo Kryeministria, e kanë detyrim një titull për shkrumtarin por edhe individin krejt të veçantë Skender Drini.
Edhe sot nuk është vonë, aq më shumë që Profja nuk ka mundësi ta refuzojë titullin por edhe si një lehtësim shpirtëror për Karolinën e tij, familjarët e miqtë e tij. Është koha që Bashkia Shkodër dhe institucionet e tjera, të riparojnë këtë gabim, ndoshta edhe faj.
Profe! Ti nuk je shkëputur asnjë çast nga kjo Tokë. Vazhdon të udhëtosh në pafundësinë tënde, mbase edhe duke qeshur me këto rreshta, për ndokënd, patetikë. Si gjithmonë, të imagjinoj me cigaren e pandashme në dorën tënde, të cilën nuknta hoqa dot as në studio televizive.
Profe! Gëzuar ditëlindjen atje ku je, në Parajsë! Me shumë mundësi, nuk është Parajsa që njohim apo ëndërrojnë të gjithë frymorët. Sepse ajo është Parajsa jote! Edhe atë e kishe ndryshe nga të tjerët! /Nga Blerti DELIJA/