Shkarkimi i Gledis Nano nga posti i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, shihet në këndvështrime të ndryshme. Në përgjithësi, të paktën duke gjykuar përmes rrjeteve sociale, perceptimi për punën e tij më pak se një vjeçare, është pozitiv.
Ditën e sotme, Nano ka shpërndarë një letër të gjatë “lamtumire”, më shumë në stilin e një politikani se te një kryepolici të shkarkuar pasi më herët ishte edhe në krye të Antiterrorit jo pak të suksesshëm shqiptar në disa operacione të rëndësishme, sidomos në Siri për gjetjen e riatdhesimin e grave dhe fëmijëve nga kampet famëkeqe atje.
Situata e rendit dhe sigurisë publike e muajve të drejtimit të Policisë së Shtetit nga Gledis Nano, duket i jep të drejtë ministrit të brendshëm Bledi Çuçi, i cili deklaroi se nuk realizoi objektivat e vendosura me emërimin e tij në detyrën e rëndësishme.
Megjithatë, në këto nivele, asgjë nuk është siç duket. Të paktën këtë kanë treguar 32 vitet e fundit të ecejakeve të këtij vendi. Kanë nisur të artikulohen emra, “shkelje në kallo” apo “hapje krahu”, të lidhura me shkarkimin e Gledis Nanos.
E rëndësishme është të sillet në mendje se Gledis Nano nuk ka dorëheqjen. Nuk është e vështirë të kuptohet se ajo iu kërkua, teksa Nano përmes linjave të tij zyrtare të komunikimit si drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nënvizoi se nuk jep dorëheqjen!
Për vetë pozicionin si drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit por edhe atë para tij, Gledis Nano ka qenë ndër personat më të informuar në Shqipëri. Nuk përbën sekret se emërimi i tij në krye të Policisë së Shtetit, kishte “bekimin” e Ambasadës Amerikane, për të mos thënë sponsorizimin, ku të gjithë kujtojmë edhe përcaktimin “njeriu i FBI- së në krye të Policisë së Shtetit” të mediave në ditët e para të tetorit të kaluar.
“I shprehim vlerësimin tonë Gledis Nanos, i cili ishte një partner i fortë i Shteteve të Bashkuara, si drejtor i Policisë së Shtetit shqiptar dhe më parë, si drejtor i Zyrës kundër Terrorizmit”, shprehej shumë thatë Ambasada Amerikane pas shkarkimit të Nanos nga detyra e numrit 1 të Policisë së Shtetit.
Gledis Nano, ai që ka blerë të plotë kolanën e veprave të At Gjergj Fishtës, nuk është e nuk mund të jetë kurrë në “prerjen” e kostumit të paraardhësve të tij, ndoshta edhe pasardhësit. 40 vjeçari është produkt profesional i 30 viteve të fundit. Po ashtu, ai nuk është përfolur asnjëherë për afera të turbullta. Kjo për të kujtuar se ai ka nevojë për punë, të ardhura, për të mbajtur familjen e tij. E di se tingëllon e çuditshme, por të paktën ky është përceptimi im.
Neni 15, paragrafi 2, pika B, e shpreh qartë “Drejtori i Policisë së Shtetit shkarkohet nga detyra kur nuk përmbushen objektivat strategjikë për shkak të performancës së ulët të tij.”.
Neni 13, pika 3, përcakton se “Drejtori i Policisë së Shtetit qëndron në detyrë për një periudhë prej 5 vjetësh me të drejtë riemërimi edhe për një mandat tjetër.”.
Interpretimi i thjeshtë i këtyre dy neneve dhe qasja e deritanishme e Gledis Nanos, lejojnë një analizë të thjeshtë. Ai është shkarkuar sepse nuk janë përmbushur objektivat strategjikë për shkak të performancës së tij. Nano goditet kështu në pikën e tij më të fortë, të paktën profesionalisht, të paktnë deri në pozicionin e shefit të Antiterrorit. Madje, sukseset në këtë pozicion, duket se bindën kryeministrin Rama që një njeri terreni, aksioni, pa eksperienca administrimi, ta emërojë në krye të policisë. A do të heshtë Nano dhe të pranojë në heshtje fatin e tij, duke e konsideruar praktikisht të paaftë?! Nëse është kështu, ai do ti japë të drejtë shkarkuesve të tij nga detyra dhe duhet të përpiqet të gjejë një vend pune në agjensitë shtetërore të aksionit apo në privat për të vijuar karrierën e tij.
Me gjasë, Gledis Nano do ti drejtohet gjykatës, nëse nuk është arritur një “marrëveshje” pas dorëheqje jo- shkarkim po, që plasi në media dhe u realizua. Ai do të kërkojë pagesën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit për rreth 4 vitet e mbetura të mandatit të tij 5 vjeçar, siç përcaktohet në nenin e mësipërm (13). Por që të nis këtë procedurë, nëse nuk ka një “marrëveshje” me ata që e emëruan/shkarkuan, ai duhet të reagojë, të flasë, edhe publikisht.
Gledis Nano duhet të tregojë se ai nuk ka dështuar në “përmbushjen e objektivave strategjikë për shkak të performancës së ulët të tij”. Të tregojë fillimisht cilat ishin këto objektiva dhe si i përmbushi, nëse i ka përmbushur. Nëse nuk është larguar për këtë arsye, por të tjera që përfliten, ai duhet të flasë, për të treguar se pse “iu pre koka”, kujt i shkeli në kallo apo kujt i prishi punë në biznes.
E vështirë që ai të dalë në një konferencë për mediat për të sqaruar këtë. Por sigurisht ka hapësira e mundësi që mund ti shfrytëzojë për të sqaruar pozicionin e tij. Është detyrim për karrierën e tij, nëse do ta vazhdojë. Është detyrim edhe për familjen e pararadhësit e tij. Është detyrim edhe për ata qindra apo mijëra qytatarë që i besuan apo mbështetën në distancë për detyrën e rëndësishme që la tek Antiterrori dhe atë që mori në krye të Policisë së Shtetit.
Meqë nuk është produkt i para 1990- ës, Gledis Nano ka shansin të nisë një “erë të re” në komunikimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit me qytetarët por edhe me politikën. Nuk është e lehtë, por Nano ka mundësinë të jetë i pari në këtë qasje të re të pritshme.
Qendrimi në heshtje, pranimi i “fatit” të tij, e zvogëlon shumë jo vetëm si profesionist por edhe si njeri. Gledis Nano duhet të flasë, nëse nuk është bërë pjesë e kulisave. Duhet të tregojë atë që asnjë nga pararadhësit nuk kanë mundur, është sherbimi i fundit që mund të bëjë si kryepolic dhe ndoshta më i rëndësishmi i 30 viteve të fundit. Nëse udhëhiqet nga interesi publik, i vendit dhe i Policisë së Shtetit. /Nga Blerti DELIJA/