Dhuna në familje ka shpërthyer në të katër anët në këtë vend. Janë të rralla ditët kur nuk mësojme për ngjarje të rënda, deri në krime makabër brenda qelizës së shoqërisë tonë. Këto 34 vite, bashkë me hapjen ndaj fenomeneve me të cilat shoqëritë përendimore përballen prej dekadash e mbase shekujsh, familja në Shqipëri është në një transformim të thellë.
Dikush e konsideron si diçka normale, etapë që duhet kaluar, ashtu si për çeshtje e tema të tjera, duke nisur nga politika dhe shtetformimi. Të tjerë mendojnë se është pikërisht shembulli konfliktual që vjen nga politika, ai që stimulon direkt apo indirekt edhe dhunën në familje. Ndërsa nga lashtësia e gojëdhënave të trashëguara, nuk ka mundësi që një prind/fëmijë të dhunojë fëmijë/prindin e vet, përveç se kur ka një kleçkë genetike: nuk është prind/fëmijë bilogjik.
Në fakt, ngjarja e fundit në Shënavlash është më e rënda. Ka një skenar, komplot të mirëfilltë të tre fëmijëve (një vajzë dhe dy djem), ndoshta me dijeninë e nënës së tyre, për të vrarë babain/bashkëshortin/kryefamiljarin. Jo vetëm kaq, të gjithë bashkë bien dakort për ta zhdukur, në përpjekje të fshehjes së gjurmëve të krimit. Pasi e vranë, e varrosën në një kasolle pranë shtëpisë.
Kultura tradicionale e familjes shqiptare, është ajo patrialkale, e një kryefamiljari (mashkull) të fortë, i cili jep kontributin kryesor në familje, jo vetëm në aspektin financiar- ekonomik, por në çdo aspekt. Kjo frymë, arriti të mbijetojë edhe gjatë 45- viteve të diktaturës, pavarësisht koncepteve ideologjike #gruaja, forcë e madhe në ndërtimin e socializmit”.
Pas 1990- ës, gradualisht, nisi edhe formatimi i familjes tradicionale shqiptare. Eksodi masiv solli çarjen e parë të rëndësishme. Kryesisht bijtë e bijat, u shkëputën nga qeliza bazë dhe nisën ndërtimin e jetës së tyre me koncepte “përendimore”. Gradualisht, bërthama të reja familjare të krijuara apo konsoliduara pas 1990- ës, morën rrugët e kurbetit. Modeli i ndërtimit të familjes atje, i ndryshëm dukshëm nga ai tradicionali ynë, nisi të implementohej.
Gradualisht, roli i kryefamiljarit (mashkull) nisi të zbehej. Të ashtëquajturat “të drejta” të fëmijëve e sidomos të grave e vajzave, u kthyen në prioritet, i stimuluar edhe nga rritja ekonomike e tyre përmes sigurimit të të ardhurave. Fillimisht, flitej për barazi mes burrit e gruas në një familje, sot është gruaja kryefjala, pas sajë fëmijët e në fund burri/babai/bashkëshorti.
Në jo pak raste, siç ishte ky i Shçënavlashit por edhe të tjerë, burri/babai/bashkëshorti i familjes, shihet edhe si e keqe nga e cila duhet liruar pjesa tjetër e familjes. Sot, pavarësisht se thuajse askush nuk e pranon, familja shqiptare jeton në stilin e matriakatit, ku rolin kryesor e ka gruaja. Ajo komandon në çdo drejtim, mbështetur e stimuluar edhe nga kuadri ligjor kombëtar e ndërkombëtar. Pas saj, komanda kalon tek fëmijët, për shkak të lidhjes e marrëdhënies së natyrshme me nënën.
Ky ndryshim, ka ardhur shumë shpejt dhe natyrisht, e ka gjetur të papërgatitur familjen shqiptare. Në shoqëritë e tjera, janë dashur shumë dekada e mbase shekuj për të arritur këtu ku jemi ne në rreth 30 vite. Sigurisht, fenomenet e reja, sjellin edhe qasje të paparashikueshme ndaj tyre. Dhuna në familje, është tashmë më i dukshmi apo i identifikuari deri tani. Burri kërkon ruajtjen e pozicionit tradicional, gruaja kërkon të marrë pozicionin e ri.
Divorcet, janë tregues i qartë i kësaj situate. Dhuna që shoqëron familjet apo bashkëshortët edhe pas divorcit, janë tregues tjetër. Pranimi i realitetit, përshtatja me të, ndryshimi i shpejtë dhe i papritur, janë shtrat për ngjarje të rënda, të cilat në të gjitha rastet, përfundojnë thjesht e vetëm si kronika televizive.
Nga 1990- a e këtej, janë me qindra shoqata që tashmë nuk flasin për barazi në familje por për rol të veçantë (superior) të gruas në këtë qelizë. Të gjitha çirren se po mbrojnë e promovojnë të drejtat e grave e vajzave. Marrin miliona euro çdo vit dhe ngjarjet e rënda të vashdueshme, po tregojnë se nuk ia kanë arritur qëllimit. Madje, janë shumë larg arritjes së tij.
A ka një zgjidhje? Sigurisht, për çdo gjë, përveç vdekjes! Ndoshta ka ardhur koha që të diskutohet për familjen. Jo për “prindi 1” dhe “prindi 2” por për vlerat e saj, bazuar në koncepte që mund të ndryshohen por gradualisht. Jo me objektiv 20- 30- 50 vite por atëherë kur ato të vijnë natyrshëm. Është koha që këto shoqata, të kapërcejnë kufijtë gjinorë, të ulin në një tryezë të gjithë komponentët e familjes, burrë, grua, fëmijë. Të flasin për të drejta e detyra jo vetëm të grave por edhe të burrave e fëmijëve brenda familjes. Modelet e huazuara, në pjesën më të madhe, kanë rezultuar të dështuara gjatë zbatimit në vendin tonë. Babai ka dhe duhet të ketë “pushtetin” e detyrat e veta, nëna të vetat dhe fëmijët po ashtu.
Është e qartë se shumë nga ato që do të gjejnë kohë të lexojnë këto rreshta, nuk do ti kuptojnë menjëherë, të tjerë do të shfryjnë se po flet si maskilist, është konservator… Pikërisht këtu nis problemi. Komunikojmë shumë pak. Më saktë, preferojmë të komunikojmë edhe brenda familjes, me rrugë elektronike. Jo ballë për ballë si dikur, rreth zjarrit apo shporetit. A duhet ti dorëzohemi “epokës” që po jetojmë?! /Nga Blerti DELIJA/