Harmonia fetare është një nga visaret më të çmuara që ka trashëguar në shekuj Shkodra. Njerëz të mençur, përgjatë historisë, kanë investuar me durim dhe bindje në forcimin e kësaj harmonie. Shembujt janë të panumërt dhe çdokush ka rrëfenjën e vet të trashëguar nga stërgjyshi deri tek stërnipi. Ndoshta edhe më përtej. Në fushë apo në mal, në qytet apo në rrethina, në malësi apo ultësirë.
Sigurisht, është synuar që harmonia fetare, jo në pak raste, të cënohet. Tentativat nuk kanë munguar, nuk mungojnë dhe nuk do të mungojnë. Sidomos kur interesi momental individual apo edhe i një grupi të vockël, prevalon mbi interesin historik të Shkodrës. Fatmirësisht, këto tentativa kanë dështuar, po dështojnë dhe do të dështojnë. Arsyet janë të shumta, por mbi të gjitha dhe gjithçka, është fryma, e kthyer tashmë në moral të përgjithshëm mbizotërues.
Viti i mbrapshtë 1997, është shembulli më domethënës. Dikush apo disa, nga brenda dhe nga jashtë, tentuan të ndezin “fitilin” e fesë në Shkodër. Natyrisht, për interesa të vockla e sigurisht, të yshtur në prapaskenë nga politika. Xhiroja mbi një kamion e tre drejtuesve të komuniteteve fetare në rrugët e Shkodrës, Faik Hoxha, Lucjan Avgustini dhe Aleksandër Petani, edhe sot e kësaj dite është emblematike, shënjuese. Për të mos folur për marshimet qytetare rrugëve të qytetit, siç ishte ai i 20 mars 1997.
Shkodra nuk ka lejuar, nuk lejon e nuk do të lejojë asnjëherë të ketë në gjirin e vet lagje “tonat” dhe të “atyre”, rrugët “tona” dhe të “atyre”, pozicione “tonat” dhe të “atyre”. Më së shumti, ka qenë politika që i ka fryrë, i fryn dhe do ti fryjë këtij zjarri që çdoherë, është i destinuar të fiket në tymin e tij fillestar. Pikërisht politika ka folur nën zë por edhe publikisht për “rradha jonë”, “mandati ynë” për të qeverisur Shkodrën. Por fatmirësisht, asnjëherë Shkodra e shkodranët nuk i ndoqën pas e nuk do ti ndjekin.
Nëse ka një mësim që sidomos Shkodra e di mirë, është se thënia “përça e sundo” nuk mund të zbatohet tek shkodranët. Shkodra është konservatore, Shkodra është edhe moderne, Shkodra duron shumë, Shkodra nuk çirret por Shkodra reagon. Reagon fort dhe atëherë kur mbase askush nuk e pret. Sepse kështu është ndërtuar Shkodra, në ditën më të mirë të mundshme, të jep hakun. Ata që e kanë qeverisur e dinë mirë, sigurisht do të kenë mundësinë ta mësojnë edhe pasardhësit. Sidomos, nëse i fryjnë tymit të zi që del nga ndonjë oxhak gjysmë i shembur i një ngrehine që më mirë rë shembet krejt. Nëse rreket të përdorë “mekanizma” të tillë.
Ishte hamendësuar se rikthimi i lirisë së besimit, mund të dekurajonte lidhjet, krushqitë, miqësitë apo martesat mes ish- feve të ndryshme, siç thotë i madhi Bep Shiroka në “Çifti i lumtur”. Fatmirësisht, seritë e kësaj telekomedie të shkëlqyer si art e si realitet, vazhdojnë të shumëfishohen ditë për ditë. Janë mijëra lidhjet, krushqitë, miqësitë apo martesat mes besimeve të ndryshme fetare, shenja ekselente e haromisë fetare, brenda qelizës së shoqërisë, familjes. E nëse këto qeliza vazhdojnë të shumfishohen, çdo përpjekje për të cënuar harmoninë fetare, ka vetëm një rrugë: Dështimin! Sigurisht, shoqëruar me humorin që nuk mungon asnjëherë në Shkodër, edhe për të komentuar tentativa të tilla dështake! /Nga Blerti DELIJA/