Sot është 14 janar 2024. Për të lindurit pas 1990- ës, mbase është një ditë e zakonshme dimri, me temperatura të ulëta dhe kaq. Në fakt, nuk është e nuk duhet të jetë një ditë e zakonshme. Pikërisht, duke nisur nga kjo ditë, në Shqipëri nisi rrokullisja e regjimit më të egër diktatorial në Europën Lindore.
Në janar të vitit 1990, në Shkodër u zhvillua e para protestë e organizuar për të rrëzuar bustin e Stalinit. Fillimisht ca trakte jo për herë të parë në Shqipëri kundër regjimit komunist shpërndahen mistershëm në kryeqendrën antikomuniste. Më 14 janar të vitit 1990 organet e Punëve të Brendshme në Shkodër shkruanin se “elementi armik” i nxitur nga ngjarjet antikomuniste në Europën lindore dhe “nga propaganda e shfrenuar e shpifëse e reaksionit të jashtëm” kish rritur aktivitetin kr.iminal kundër regjimit komunist. Kjo është një nga ngjarjet e para të nisjes së çarjes komuniste.
Ajo u shoqëruara me arrestime të shumta dhe me procese ndaj pjesëmarrësve ose atyre që cilësoheshin si organizatorë të këtyre lëvizjeve. Më 13 janar 1990, Sigurimi i Shtetit e merr këtë informacion duke shtuar se në shesh do të dalin rreth 200 – 300 vetë para bustit të Stalinit. Ai madje ka informacion konkret se organizatorë të kësaj veprimtarie ndër të tjerë janë Ded Kasneci dhe Flamur Elbasani. Fatmirësisht, pak muaj më vonë, Shqipëria hyri në rrugën që të gjithë e dëshironin.
24 vjet më pas, kjo datë po kalon si e zakonshme. Nuk ka informacion për ndonjë aktivitet përkujtimor, nuk ka vendosje kurorash me lule tek memoriali i ngjarjes, aty ku sot është shtatorja e Luigj Gurakuqit e ku atë kohë, ishte busti i diktatorit të stepave ruse që adhurohej çmendurisht nga diktatura.
Këto rreshta janë në kontribut modest, për të mos harruar një ditë të shënuar, për të nderuar e respektuar kujtimin e guximtarëve të 14 janar 1990, një pjesë e të cilëve janë larguar nga kjo botë. Sigurisht, është edhe një thirrje për kujtesën tonë kolektive, e cila përtej halleve e derteve, ndryshimeve e pritshmërive, nuk duhet të jetë kaq “blic”.