Shqipëria është rikthyer në qendër të vëmendjes për “histori spiunazhi”. Vendi i vogël, antar i NATO- s dhe kandidat për antarësim në Bashkimin Europian, ka qenë ditët e fundit shenjestër e spiunazhit. Dy grupe, njëri me dy rusë dhe një ukrainas dhe tjetri me shtetas çekë, kanë treguar interes për dy fabrika armësh në Gramsh dhe Poliçan.
Në rastin e Gramshit, spiunët kanë përdorur edhe spray për të neutralizuar ushtarët roje për të dalë të pashqetësuar nga fabrika e armëve, pasi kishin hyrë pa më të voglin shqetësim. Përveç “spiunëve” po artikulohet edhe termi blogerë, si për të kanalizuar në linjë tjetër atë që po artikulohet si “histori spiunazhi”. Po çfarë mund të spiunohet apo grabitet si “sekret” në këto dy fabrika armësh?
Në Shqipërinë e deri 1990- ës, prodhohej versioni shqiptar i AK- 47 apo automatik kallashnikov si dhe pushkë gjysmëautomatike model 56. Sigurisht, kishte tentativa edhe për pistoleta, imitacione të “Zastava” apo edhe “TT”. Cilësia e këtyre armëve që duhej të sherbenim për të “mbrojtur atdheun” nga imperializimi dhe social- imperializmi, u testua më së miri në vitin 1997.
Tytat e këtyre armëve, pas disa të shtënash radhazi, përkuleshin nga tejnxehja dhe ktheheshin në të papërdorshme pas disa qitjesh. Pas 1990- ës, kur kallashët vërshuan në duart e mijëra shqiptarëve, këto fabrika nuk kishin asnjë efikasitet. Kur nisi të marrë fund marrëzia kolektive e luftës me armikun imagjinar, këto fabrika u kthyen në punishte për demolimin (shkatërrimin) e armatimave që kapte policia apo vetëdorëzoheshin.
Ajo që nuk është e qartë, është se për çfarë sherbenin këto fabrika pas hyrjes së vendit në NATO. A kishte nisur prodhimi i armëve apo riparimi i mundshëm i atyre që FA- të merrnin si furnizim nga NATO? Nëse kjo nuk ka ndodhur, pra nuk janë rikthyer në efikasitet, çfarë kërkonin spiunët rusë, ukrainas dhe çekë brenda këtyre fabrikave?!
Me gjasë, spunë- blogerët, siç ka ndodhur edhe në raste të mëparshme, donin të tregonin lehtësinë e të futurit në këto ambjente, të cilat në të gjithë botën, janë super të sigurta. Në fakt, ia kanë arritur qëllimit të tyre pasi foto e vido, pasi kanë hyrë në mjediset e fabrikave të pashqetësuar, janë nisur drejt destinacioneve nga laptop apo celularë që ata kishin në zotërim.
Pavarësisht se një vend i varfër, modest në të gjithë komponentët shtetërorë, Shqipëria është vend antar i NATO- s. Është pjesë e aleancës më të fuqishme ushtarake të botës dhe depërtimi i spunëve- blogerë në fabrikat e armëve, dëmton jo pak edhe imazhin e NATO- s. Nëse ky ka qenë qëllimi, edhe në kuadër të konfliktit Rusi- Ukrainë, ai është përmbushur plotësisht nga spiunët- blogerë. Pas shqiptarëve, tashmë e kanë të provuar edhe aleatët tanë. /Nga Blerti DELIJA/