Është e pamundur të përm bledhësh në një shkrim, personin, jetën dhe veprën e tij. Mendoj se me kohën dikush do të arrijë të shkruajë një monografi të plotë për një nga figurat e Kishës Katolike më të rëndësishme të periudhës postdiktaturë në Shqipëri, Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv i Tiranë-Durrësit nga viti 1993 deri në vitin 2015. Nuk kam ndërmend të bëj një kronologji historike të jetë së tij, por me këtë shkrim, në përvjetorin e pestë të kalimit të tij në amshim, dëshiroj të risjell disa nga kujtimet e mia personale rreth figurës së Imzot Rrokut.
Diku nga viti 1992, në një revistë fetare të atyre viteve, ndoshta “Kumbona e së Djelës”, në kopertinën e saj gjendej një foto e të gjithë meshtarëve të mbijetuar të komunizmit, mes të cilëve gjendej edhe dom Rrok Mirdita. Aty, për herë të parë, kam dëgjuar emrin e tij dhe parë fytyrën e këtij meshtari ardhur nga jashtë e që pas pak muajsh do të ishte Arqipeshkëvi i Dioqezës ku unë jam lindur e rritur. Asohere, ai kishte ardhur nga Nju Jorku e nëpërmjet Malit të Zi kishte hyrë në Shqipëri. Ai, në fakt, ishte lindur në Mal të Zi, pikërisht në një nga fshatrat e Ulqinit, në Kllezën.
E kujtonte gjithmonë këtë çast të ardhjes së tij në Shqipëri e sidomos dy momente të asaj vizite. E para kur kishte shkuar në Malësi të Madhe e kishte thënë meshë atje. Kujtonte se si kishte mbetur i befasuar nga turmat e njerëzve që vinin nga çdo anë nëpër male për të marrë pjesë në meshë. Aty kishte kuptuar që, ndryshe na ç’propogandohej vazhdimisht gjatë komunizmit, besimi nga zemrat e njerëzve kishte jetuar e mbijetuar. Ato turma ishin dëshmia e gjallë e kësaj të vërtete. Dhe momenti i dytë kur ai kishte mbledhur të gjithë meshtarët që i kishin mbijetuar komunizmit në restorant “Rozafa” në Shkodër dhe kishte kaluar një kohë të bukur me ta. Prej asaj dite ishte edhe ajo fotografi në kopertinën e revistës.
Vetëm pak muaj pas asaj vizite, ndërkohë që ai ishte kthyer në qelën e tij në Nju Jork, një telefonatë e Arqipeshkëvit O’Connor e kishte lajmëruar se Papa Gjon Pali II e kishte emëruar Arqipeshkëv të Durrësit. Kur kujtonte këtë moment, atij i binin ndërmend edhe fjalët e Kardinalit O’Connor që, duke perceptuar hutimin e tij, i kishte thënë të mbyllte telefonin e të dëgjoheshin më vonë. Në atë kohë, ai, si famullitar i famullisë së zojës së Shkodrës në Nju Jork, sapo kishte mbllur kontratën për blerjen e tokës ku do të ngrihej më vonë ndërtesa e Kishës në Harstdale, aty ku është ende sot e kësaj dite. I duhej të linte tashmë gjithçka për të nisur nga e para një aventurë të re, pikërisht në Shqipërinë postkomuniste.
Nuk ishte e lehtë aspak të rinisje diçka nga fillimi e sidomos në Shqipërinë e rrënuar nga të gjitha pikëpamjet. Ishte një Kishë për t’u rindërtuar, jo vetëm nga muret, por sidomos gurët e gjallë, njerëzit. Nëse ka diçka që e ka karakterizuar gjithmonë atë njeri, ka qenë realizmi dhe arsyeja praktike. Ai e dinte mirë qysh në fillim se rrugëtimi do të ishte i gjatë dhe i lodhshëm, por ai ishte i gatshëm ta bënte atë rrugëtim. Banesa e tij e parë në vitin 1993, menjëherë pas rënies së regjimit komunist, ishte rezidenca te Vilat e Gjermanëve. Aty e kam njohur për herë të parë, vetëm pak muaj pasi ishte emëruar si ipeshkëv, pikërisht më 9 janar 1994, kur u paraqita tek ai për të hyrë në seminar. Nuk e kisha pasur perceptimin e tij më parë dhe para meje u shfaq një burrë i shkurtër, por me një shikim të zgjuar dhe sens të spikatur humori. Ndërkohë, ai nisi menjëherë organizimin e Dioqezës, për rindërtimin e kishave apo ndërtimin e atyre të rejave. Misionarët katolikë kishin ardhur nga vende të ndryshme e ia kishin nisur punës. E ai nuk përtonte të shkonte kudo ta thërrisnin për meshë, në çdo katund e famulli.
Ndërkohë, misioni i tij po bëhej gjithnjë e më i hapur, sidomos në relacionet me faktorë të tjerë të jetës dhe shoqërisë shqiptare, sikurse me religjionet e tjera dhe me faktorin politik e kulturor. Mund të themi se ai e njihte mjaft mirë mentalitetin shqiptar, pasi kishte jetuar gjithmonë me dhe mes shqiptarësh, por sigurisht që shqiptarët që gjente në Shqipëri kishin pësuar një shndërrim e për këtë ndoshta iu ka dashur të mësohet me kohën e të rinisë nga e para njohjen e shqiptarëve e sidomos të plagëve të tyre nën regjimin komunist. Në pak kohë, Imzot Mirdita u thye në një pikë referimi edhe për shoqërinë shqiptare, me prononcimet e tij, takimet dhe mesazhet që herë pas here përcillte për publikun, sidomos me rastin e festave të Krishtlindjes dhe Pashkëve.
Ndër shumë gjëra, dy kanë qenë konstante në jetën e tij si bari i Arkidioqezës së TiranëDurrësit. Së pari: ai e dinte se misioni i tij në atë Dioqezë ishte përtej kufijve të saj, pasi ishte edhe në kryeqytetin e Shqipërisë. Kështu që marrëdhënia e tij me institucionet, mediat dhe kulturën ishte de facto marrëdhënia e Kishës Katolike në Shqipëri me to. Për asnjë çast nuk e komprometoi as kishën dhe as vendin e tij. Diti të mbajë raporte korrekte me të gjithë e të mos i rëndonte këto raporte me bindjet apo miqësitë e tij personale në rrafshin publik. Ishte njeri i Kishës dhe e donte shumë kishën, por ishte edhe një shqiptar i mirë dhe e donte shumë Shqipërinë,
Së dyti: besonte gjithmonë se dialogu ndërfetar e ka esencën e tij te marrëdhëniet e mira personale me njerëzit, e sidomos midis udhëheqësve fetarë. Dhe këtë e bëri gjithmonë, sidomos me marrëdhëniet e mira dhe korrekte me liderët fetarë: Haxhi Hafiz Sabri Koçin, Haxhi Selim Muçën, Skënder Bruçaj, Fortlumturinë e Tij, Anastasios Janullatos, Baba Dedë Reshat Bardhi e Baba Edmond Brahimaj, dhe pastorin Ylli Doçi. Qe ndër themeluesit e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe ndër presidentët e parë të Shoqërisë Biblike ndërkonfensionale të Shqipërisë.
Ndërkohë, Kisha Katolike në Arkidioqezën e Tiranë-Durrësit, nën udhëheqjen e Imzot Mirditës, rritej. Krijohen famulli të reja, hapen shkolla nëntëvjeçare dhe të mesme, dhe në Shqipëri vjen edhe Universiteti Katolik.
Dhurata e madhe që ai i dha asaj Arkidioqeze qe ndërtesa e Arqipeshkëvisë dhe Katedralja e Shën Palit në zemër të Tiranës. Disa herë e dëgjoje tek thoshte se pas shugurimit të Katedrales kushedi a do të vijnë njerëz, por ajo ndërtesë u kthye në një profeci. Qysh ditën e parë, njerëzit erdhën të shumtë dhe ajo Kishë u kthye në një pikë referimi për të gjithë katolikët në Tiranë, por jo vetëm. Shpesh, Katedralja priti evente kulturore, sidomos koncerte të muzikës klasike.
Vizita e Papa Françeskut në vitin 2014 mund të themi se ishte një tjetër moment kulmor i shërbesës së Imzot Mirditës si Arqipeshkëv i Tiranës. E mirëpriti në Tiranë dhe madje në Katedralen e tij, aty ku Papa Françesku u përlot para martirit të gjallë të besimit, Dom Ernest Troshani, të cilin më vonë e krijoi edhe Kardinal.
Por koha nuk kursen askënd dhe ajo për ne njerëzit ka një limit të sajin e duket se për Imzot Mirditën u qëndroi “korrekte” këtyre limiteve. Papa Francesku ia kishte shtyrë edhe për dy vite të tjera mandatin në Arkidioqezën e Tiranës, pasi ai kishte mbushur 75 vjet, dhe ai kaloi në amshim pikërisht si Arqipeshkëv i asaj Dioqeze, në vigjiljen e Zojës së Papërlyer.
Ashtu sikur e ka përkufizuar edhe Arqipeshkëvi aktual, pasardhësi i tij, Imzot George Frendo, Imzot Mirdita qe ati dhe bariu i Arkidioqezës Tiranë-Durrës dhe u radhit në emrat e ipeshkvijve që kanë udhëhequr për 2000 vjet këtë Dioqezë, e vetmja në Shqipëri që mund të krenohet për themelimin e saj apostolik. Ashtu si Agustini i Iponës para trupit të nënës së tij të vdekur edhe ne themi: Nuk të themi o Zot pse na e more, por të falënderojmë për sa kohë e patëm mes nesh Imzot Rrok Mirditën. /Nga Dom Gjergj META/