Nuk e gjen SPAK- u që po “tmerron” politikën, e gjen Çim Peka! E kontakton, lë takim, udhëton jashtë Shqipërisë, i merr intervistë të gjatë, me gjasa pi edhe kafe, mbase drekë apo një “xhiro” në kazino (ish- zëvendëskryeministri është mjaft tifoz i tyre!), kthehet në Shqipëri dhe publikon transmetimin e bisedës në TV. Ndoshta televizioni më i ashpër kundër tij dhe mazhorancës, figurë qendrore e të cilës ishte edhe vetë Arben Ahmetaj deri para rreth 1 viti.
Ahmetaj, i hetuar, anatemuar ashpër edhe nga TV ku do të shfaqet këtë të enjte, “ia ka hedhur” paq edhe SPAK- uk. Ka blerë një biletë avioni për në Itali dhe ëashtë larguar i vetëm në këmbë nga kufiri jugor drejt Greqisë. Më pas, është shfaqur në Zvicër, ndërsa ka nisur një nga celularët e tij me avion drejt Kanadasë. Ia ka dalë të humbë gjurmët për të gjithë, deri sa po e nxjerr në dritën e prozhektorëve Çim Peka.
Po çfarë do të deklarojë Ahmetaj? Duke njohur TV ku ka zgjedhur të rrëfehet, nuk është e vështirë të hamendësohet. Megjithatë, Çim Peka ka zbuluar çfarë do të deklarojë. “Shperthen ARBEN AHMETAJ! Jo thjesht Pergjigje, por akuza te renda per Edi Ramen. Kush jane pronaret reale te inceneratorit te Tiranes. Pazaret e oligarkeve me Ramen dhe Veliajn. Kur, si dhe pse u ndane me Edi Ramen? Pse vendosi te mos kthehet ne Shqiperi pas vendimit per arrest? Dhe kercenimet me jete…Nje rrefim si kurre me pare”, shkruan Peka, duke publikuar edhe një foto të intervistë së marrë në një vend “sekret”, nisur nga detajet e pakta që shfaqen në studion e improvizuar.
Nuk ka dyshim se Arben Ahmetaj ka aplikuar për azil. Por i duhet ta vërtetojë se është “i përndjekur” politikisht. Qoftë nga SPAK, qoftë nga ish- mazhoranca, pjesë e të cilës ishte edhe vetë ai deri para rreth një viti. Për këtë, ka pajtuar edhe një studio ligjore amerikane. Nuk e ka aspak të vështirë. Thuhet se në Zvicër, të shënuar në emrin e një biznesmeni të njohur, ka një vilë modeste rreth 1 milion euro. Vazhdon edhe pasionin për kazinotë. Por qershia mbi tortë, është një intervistë “denoncuese” në një TV që është në opozitë të hapur, të qendrueshme e të ashpër me qeverinë aktuale.
“Armiku i armikut tim, është miku apo aleati im”. Ky parim është ndjekur rigorozisht nga Ahmetaj dhe me shumë gjasa, intervista me Çim Pekën do ti jetë një argument i fortë të marrë mbrojtje me azil politik. Praktikisht, me këtë akt të pritshëm nga shteti zvicerian, do të mbyllet edhe saga Ahmetaj deri në një moment… Siç edhe ka ndodhur, me ndryshimin e ngjyrës në pushtet, ndryshon edhe qasja e drejtësisë. Atëherë ahmetaj jo vetëm do të dalë i pafajshëm, por do marrë edhe paratë për cënimin e imazhit në një gjyq civil. Deri atëherë, do të vijojë të shijojë jetën si të ishte i lirë. Me ndryshimin e vetëm, ata që duan ta takojnë, duhet ti hipin avionit. Me shumë mundësi, edhe biletën ta paguan ai vetë… Dhe “yjet rrinë e vështrojnë”, bashkë me SPAK e kompani. /Nga Blerti DELIJA/