Është e kotë të pohohet: Nga momenti që u mësua se Ismail Kadare ndërroi jetë, rrjetet sociale por edhe tavolinat e kafaneve edhe më periferike, u mbushën me komente, përshtypje, gjykime e paragjykime. E në fakt, nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Kadare shënjoi jo vetëm letërsinë para dhe pas vitit 1990 si kapërcyell mes dy botëve shqiptare, të paktëj këtej kufirit.
Akoma trupi i tij nuk është ftohur pas frymës së fundit, për të kuptuar se tashmë do të nisë procesi i vlerësimit si shkrimtar. Ata që lodhen ta gjykojnë si njeriu Ismail Kadare, rreken më kot pasi tashmë do të marrë verdiktin e paapelueshëm në daljen e parë përballë Atij, udhëtimin drejt të cilit ka marrë tashmë në mënyrë të paktheshme e të qëndrueshme.
Shumë figura të rëndësishme, qofshin ata edhe shkrimtarë, nuk morën vlerësime në të gjallë të tyre. Sigurisht, njiheshin nga një rreth i ngushtë, i cili niste me familjen, shoqërinë, lagjen e mbase qytetin. Por në mbarë vendin, ishte e vështirë të njiheshe e të lexoheshe, sidomos para vitit 1990. Kadare ishte ndër më të privilegjuarit në këtë kuptim, por nuk mund të thuhet se ishte “poet kombëtar” në kuptim e njohjes, famës para ndryshimit të sistemit. Aq më tepër, kur nuk mungonin emra të tjerë si Agolli apo Arapi, të vlerësuar publikisht edhe në emër të RealSoc-it.
Edhe pse përkthehej në gjuhë të huaja që para 1990- ës, pas këtij viti e në vazhdim, ai u vlerësua si përçues i krijimtarisë shqipe në rreth 25 gjuhë të huaja. Ai e vazhdoi krijimtarinë deri diku afër vitit 2018 dhe nga ai moment, mu shumë u kthye, konsiderohej dhe venerohej si ikonë e mendimit shqip, teksa iu pamundësua të shkruante me dorën e tij për arsye shendetësore. Në periudhën e fundit, më së shumti e shikonin në foto, me personazhe apo individë edhe të panjohur, brenda e jashtë shqipërisë, që publikonin foto me të nga kafeneja e preferuar.
Për shkrimtarët që kanë krijuar “në dy kohë”, para dhe pas 1990- ët, do të jetë më e vështirë të rreshtohet në mënyrë mazhoritare apo të pakontestueshme në panteonin e çfarëdollojshëm të këtij vendi. Sidomos para 1990- ës, është shumë e vështirë, në kufijtë e të pamundurës, të identifikosh fillin që ndan njeriun me cilësitë e tij, nga shkrimtari. Mbase ky do të jetë problemi më i madh edhe për Ismail Kadarenë.
Nëse para 1990- ës krijimtaria letrare gjykohej nga kritikë që lëviznin sipas “vijës së kuqe” të ideologjisë sunduese, nga 1990- a është shumë e vështirë të identifikohen kritikë të mirëfilltë. Të gjithë bindemi apo dokordësohemi me idenë se “tregu është kritiku më i mirë letrar”, duke treguar kështu se nuk i kushtojmë shumë rëndësi vlerave krijuese dhe artistike.
Me shumë mundësi, Ismail Kadare por edhe shumë të tjerë me karakteristika të ngjashme kohore të krijimtarisë, do të mbesin përjetësisht të dyzuar në vlerësim. Me gjasë, do të kalojnë nga ekstremi në ekstrem, nga adhurimi në linçim. Me dyshimin e përhershëm nëse ishin shkrimtarë të famshëm apo të mëdhenj. Kjo për masën e gjërë të audiencës sepse shteti, edhe në raste të mëparashme por edhe të kadaresë, është pozicionuar saktë. Dy ditë zie kombëtare për vdekjen e Ismail kadaresë, janë tregues i qartë.
E meqë jemi tek vlerësimet zyrtare, a po vazhdon nisma për krijimin e Urdhërit “Mjeshtër i Vogël” apo “Mjeshtër i Mesëm”, për të lehtësuar disi nga konsumimi apo edhe barcaletat Urdhrin “Mjeshtër i Madh”?! /Nga Blerti DELIJA/