Listat e kandidatëve për deputet, nuk u hapën! Në fakt ishte e pritshme, për shumë arsye. Kryesorja, deputetët që do të futen në Kuvend, pjesa më e madhe e tyre, duhet të jenë përfaqësues të përzgjedhur nga partia, dmth nga kryetari i saj. 30% e listës që parë, hartohet nga kryetari respektiv dhe është e para që i shpërndahen mandatet, pas përllogaritjeve nga KQZ.
“Mandatet për kandidatët fitues fillimisht shpërndahen sipas renditjes së listës shumëemërore të fiksuar të subjektit zgjedhor dhe në përputhje me renditjen e kandidatëve në të, dhe në rast shterimi të saj vijohet me kandidatët fitues të rirenditur të listës shumëemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes sipas pikës 2 të këtij neni.”, thuhet në nenin e Kodit Zgjedhor që pritet të miratohet në Kuvend.
“Hileja” është mëse e qartë. Të ndalemi konkretisht tek Qarku i Shkodrës, i cili aktualisht ka 11 deputetë, të ndarë sipas partime politike: PD 5, PS 3, PSD 2, LSI 1. Nëse në vitin 2021, do të ishte në fuqi Kodi që pritet të miratohet sot, ndarja e mandateve të mes listës fikse të partisë dhe asaj preferenciale nga votat e qytetarëve do të ishte e tillë:
LISTA E PARTISË
PD 3
PS 3
PSD 2
LSI 1
LISTA E VOTËS PREFERENCIALE TË ZGJEDHËSVE
PD 2
Pra, vetëm dy deputetë do të hynin nga preferencat popullore. Nga 11 deputetë që do të përfaqësonin partitë në Kuvend, 9 do të ishin vullnet i kryetarëve respektivë të tyre Basha, Rama dhe Meta (Kryemadhi) dhe vetëm 2 të përzgjedhur nga vota preferenciale e shkodranëve. Praktikisht, deputetët vijojnë të jenë të preferuar të kryetarëve. Ky sistem, mbase mund të ketë ndikim të dukshëm në qarqe me numër të lartë mandatesh, siç është Tirana dhe vetëm për listat e dy subjekteve të mëdha, PD dhe PS.
Pse ky sistem, pse kjo dakordësi PD- PS për lista pjesërisht të hapura?
Sepse grupet e reja parlamentare që do të formohen pas zgjedhjeve të vitit që vjen, duhet të jenë të komanduara nga kryetarët e partive, kandidatë për kryeministër të ardhshëm. Përndryshe, deputeti do të fitonte integritet dhe pushtet në vendimmarrjet e tij në ulëset e Kuvendit dhe realisht, nëse do të dëshironte, do të ishte vertetë përfaqësues i vullnetit të zgjedhësve.
Madje, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021 dhe me uljen e herësit në përllogaritje, para 4 vjetëve do të kishte më shumë mundësi që listat e kryetarëve të cungoheshin. Edhe në Shkodër, do të kishte ndodhur e njëjta gjë 4 vite më parë. Vitin që vjen, do të jetë thuajse e pamundur, pikërisht për shkak të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
Nga ana tjetër, është e qartë se edhe lista e dytë, ajo e kandidatëve të zgjedhur përmes votës preferenciale të qytetarëve, do të jetë produkt i vullnetit të kryetarëve të partive, pasi përmes firmës së tyre, depozitohen në KQZ. Thjesht, ata do të kenë një “betejë” mes veti, por përsëri do të jenë “besnikë” të atij që u vendosi emrin në listën e konkurrencës. Sepse oreksi vjen duke ngrënë dhe nisin e mendojnë për rizgjedhjen në mandatin pasardhës. I vetmi lajm i mirë i reformës së radhës zgjedhore, është vota e emigrantëve nëse do të mundësohet realisht dhe herësi për “garën e listave të hapura”, që nuk mund të kalojë 7 mijë votat në asnjë qark.