Nga Namik MEHMETI
Aq sa kam parë futboll në jetën time, barazimi 0-0 në mes Partizanit e Vllaznisë në ndeshjen e luajtur në stadiumin e Elbasanit, është një rezultat logjik i dy rivalëve që kërkojnë të jenë sfidues për titullin kampion.
Të shprehesh ashtu siç është shprehur trajneri i Partizanit Ilir Daja se “ne fituam këtë ndeshje por na tradhëtoi balta”, më duket një deklaratë që donte të mos kujtonte atë pjesë të parë të Vllaznisë ku evidentohen jo më pak as më shumë, por katër raste të pastra shënimi, falë një loje me shumë nivel pavarësisht kushteve të rënda atmosferike.
Por trajneri gjerman Brdariç kur flet është me këmbë në tokë e nuk është naiv si Daja të shprehet se ne fituam, por na pengoi portieri Zogoviç kur topi deshi të përshëndeste rrjetën.
Në ndeshjet e futbollit gjithmonë do të gjendet një shkak për të justifikuar humbjen, barazimin e në të kundërt për të mbrojtur fitoren.
Pra kemi dëgjuar kur thuhet shpesh për një skuader që i shpëtoi humbjes apo ju mohue fitorja, se “portierit i erdhën në ndihmë shtyllat”, “se goli u mohue nga gjyqtari”, se “sulmuesi më të vështirë e kishte për ta gjuajtur topin jashtë portës se sa për ta adresuar atë në rrjetë” e të tjera justifikime. Por nuk kam dëgjuar se me të tilla episode që regjistrohen në 90 minuta lojë një trajner të deklaroje se ne fituam por…
Konkretisht për duelin Partizani-Vllaznia, specialistët ndanë mendimin se Vllaznia administroi lojën për 45 minuta, me një futboll tepër agresiv dhe në pjesen e dytë u tërhoq për të realizue një barazim që i vlente sa një fitore pasi u ruajt diferenca prej 9 pikësh.
Ndoshta dhe kjo ishte detyrë taktike e trajnerit Brdariç i cili mbas ndeshjes nuk dukej i zhgënjyer nga barazimi. Keshtu kur beson se ke fitue me një rast si ai që ju krijue në minutat e fundit ku balta i erdhi në ndihmë portierit shkodran, atëhere kolegët e Dajës mund të shfaqin pretendime se kanë fitue pa përshendetur topi rrjetën, pasi një bucë bari kishte devijuar topin drejt rrjetës. Naivitet i vërtetë ky i trajnerit Daja.