Nga Fatjon GJINAJ, gazetar
Ja pra biri i birit tim, këto ishin trojet shqiptare. Përcillnim bijtë e bijat për realizim ëndërrash. Si bënin disa kursime e ndërtonin diçka në jetë atje në Perëndim, ktheheshin në vendin e tyre për të zënë rrënjë, investuar, pushuar….
Ohh, pushuar. Mbi 60-të prej nesh po ktheheshim në Atdhe. Gjithë ngazëllim e buzëqeshje e shoferi, me shumë gjasë jetues në trojet tona të nemuna, i paguar mbase keq, në punë me orë të zgjatur, dremiti në timon, duke përfunduar jashtë rrugës. 10 prej nesh po pushojmë përfundimisht o bir, e të tjerët do të kalojnë stinën më të kobshme të jetës.
Kështu shkoi kjo punë djalosh, me rrecka nëpër shpinë e ëndrra në sirtar, ku çdo dhimbje e këtij populli sa vinte e bëhej më e klithshme, më dramatike, më pafund. Prindërit tanë menduan e shpresuan se ne bijtë e tyre do bënim diçka për mirë. Dështuam, bëmë një mut të madh. Ne shpresuam tek baballarët tuaj si e pamë që s’kishim gjë në vijë. As këta nuk ia dolën. Mbase një komb ngrihet e lulëzon atëherë kur iu bindesh fëmijëve e bën si të thonë ata. Pa më thuaj o trim, si ndalen këto lot nanash?
Para se ti të flasësh, bindu se të parët e tu ishin disa dështakë të rrjedhur. Ngjitur me këto rrënojat tona nuk mund ta ndërtosh të ardhmen tënde, ka ardhur ajo dreq kohe të na e shembni këtë ngrehinë që ndërtuam si mos më keq. Kokës na e lëshoni e mos qani për ne por buzëqeshni për atë që iu pret. Dikur në këto troje armiqtë shkilnin, digjnin e përdhunonin. Ky popull heroik, u gjunjëzua sa e sa herë por lotët nisën e përfunduan mbi këtë dhé. Sot me to po lajmë e përmbytim rrugët e botës, ato rrugë të ëndërrta që na konsumuan e zhbënë pak nga pak. Ja shikoje këtë dreq koke të thinjur në këtë asfalt përcëllues. Është e madhe kjo dhimbje, të shqyen e gërryen, të sfilit, të gllabëron. Është vdekatare, asgjësuese, është nga ato lloj dhimbjesh mbi të cilat o gjendet forca për t’ia nisur nga e para, o tretet pak e nga pak me të.
Amaneti i të lumnit Zot, mos e lejoni të ndodhë! Shqiptarët janë pak për të arritur të ndërtojnë atë Shqipëri të Madhe që ëndërruan, e më pak se aq do të thotë dramë, asimilim. Mbyllini ato dreq portash mërgimi e ndërtojeni Shqipërinë e gjorë…
Dhe bir, në dreq ngushëllimet. Unë sot jam një vrasës, e pa besë nuk mund të trokas dot në atë gjamë për të cilën jam përgjegjës për të shprehur hidhërimin tim të thellë, ndaj po shkoj me ta, me këta bashkëudhëtarë të nemun e fatkeq. Po shkoj në paqe princ i gjyshit, duke të kërkuar ti shikosh një nga një këto kufoma, të mos i harrosh kurrë fytyrat e historitë e tyre. Ti mund ti ngushëllosh familjet e tyre, ti mund ta ngushëllosh Shqipni e Dardani. Zoti të bekoftë!