Nga Ymer BALA
Shkas për këtë shkrim u ba nji video që paraqiste prishjet e objekteve pa leje në bregdetin shqiptar! Sigurisht që më theri zemra kur pashë se si demoloheshin ato ndërtesa sepse shkatërrimi t’i vret sytë por…m’u kujtue nji ngjarje para 20- të e sa vitesh, këtu në Amerikë, ku emigruem me familje!
Kur u bamë (shpejt) me e ble nji shtepi me kredi në qytetin ku jetojmë…dolëm familjarisht me kërkue shtëpia që ishin në shitje. Kishte gjithfaresh, si po i don, të mëdhaja e të vogla, me pishina e pa pishina mbrapa por ne i shtrimë kambët aq sa kishim “jorganin”.
Blemë nji shtëpi jo fort të madhe por që kishte mbrapa nji kopësht (backyard ) siç i thonë këtu, bajagi të madh. Puna e parë që më shkoi ndër mend ishte:
“Oh, sa mirë…me kalimin e kohës tash po ndërtojmë bashkë me dy djemt në këtë truall, nji shtëpi nga themelet dhe djemt kam me i pasë afër”.
Mentaliteti Shqiptar! Kur ua tregova djemve të mi “andrrën”, ata qeshën me të madhe e më thanë:
“Këtu mor babaluk jo vetëm që nuk të lejojnë me prishë simetrinë e shtëpijave mbrenda vijave të verdha, para e mbrapa, por edhe këta lepuj që po i shef këtu në “bahçe”, ba me e gjuejtë ndonjenin me gurë lastiket, mor babaluk, të fusin në burg!”
Ma “prishën” andrrën! Unë i “shkreti” për të mirë mendova! Komenti im për videon që pashë:
Në qoftë se ligji zbatohet për të gjithë njilloj e jo dikush i “nanës” e tjetri i “njerkës”, asht për t’u përkrahë, pavarësisht se qeveria në fuqi dikujt, përfshi edhe mue, nuk i pelqen! M’u kujtuen ata vite në sistemin komunist kur bahçet e familjeve të vjetra shkodrane, u bane si “fëltere” gështenjash me ndërtimet pa kriter e të shëmtueme me pallate e me apartmente sa nji “birucë” për me strehue popullsinë.
Kjo qeveri, edhe ata pallate duhet t’i prishë e t’ua kthejë bahçet fëmijve të cilëve ua lanë trashigim të parët. Ligji e drejtësia duhet të shkojë në vend për të gjithë, pa përjashtim. Kështu mendoj unë, edhe pse nuk marr vesht shumë nga kjo punë. Kjo asht rruga me hi në Europë, lum miku… Jo me i ra i forti të ligut! /Publikuar në Facebook/